Si të mos ndikohemi nga moti i vranët e me shi në mëngjes, sidomos në ditë pune?

Së pari, ndriçimi artificial mund të ndihmojë shumë. Hapja e dritareve menjëherë pas zgjimit dhe ndezja e dritave të shtëpisë sinjalizojnë trupin se ka ardhur koha për t’u zgjuar, duke ndihmuar në rregullimin e ritmit cirkadian.

Një rutinë e lehtë fizike në mëngjes, si “Stretching” ose ecje e shkurtër, mund të përmirësojë qarkullimin dhe humorin. Gjithashtu, mëngjesi i shëndetshëm dhe i ngrohtë, me proteina dhe fibra i jep trupit energji të qëndrueshme.

Muzika e preferuar apo dëgjimi i ndonjë podcasti pozitiv gjatë përgatitjeve për punë mund të ndihmojë në ngritjen e humorit.

Edhe përgatitja një ditë më parë – si zgjedhja e rrobave apo përgatitja e çantës së punës – mund të zvogëlojë stresin e mëngjesit.

Edhe pse moti nuk kontrollohet, mënyra si i përgjigjemi atij është në dorën tonë. Me pak përkujdesje dhe disa zakone të thjeshta, dita mund të nisë mirë, pavarësisht shiut apo reve jashtë.