“Rroftë Hashim Thaçi, UÇK”, veteranët bllokojnë hyrjen e hotelit ku po qëndron Trendafilova

Veteranët e UÇK-së kanë bllokuar hyrjen e hotelit ku po qëndron kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

“Rroftë Hashim Thaçi, UÇK”, janë disa nga fjalët që u dëgjuan teksa i thanë veteranët të cilët janë duke protestuar pas vizitës së Trendafilovas në Kosovës.

Sipas tyre, vizita e saj është e papranueshme dhe fyese për ata që dhanë jetën për liri.

Pos Trendafilovas e cila ka paralajmëruar se pas pak do të mbajë konferencë për media, edhe OVL-UÇK ka njoftuar një të tillë në oborrin e hotelit ku po qëndron kryetarja e Dhomave të Specializuara.

Anëtarët e OVL-UÇK-së kanë hedhur tym të zi pranë hotelit ku po mban konferencë kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Veteranët u dëgjuan teksa thërrisnin “UÇK, UÇK”.

Organizatat e dala nga lufta në një reagim të përbashkët kanë deklaruar të hënën se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara është e papranueshme dhe fyerje.

Ata kanë thënë se vizita e saj s’ka asgjë të përbashkët me drejtësinë dhe transparencën, teksa përmenden edhe “qasjen arrogante të Gjykatës Speciale”.

 

00:13
00:22

“E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër! Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët”, thuhet në reagim.