Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë për siç thotë fushatën denigruese dhe sulmet e koordinuara ndaj organizatës, dhe kryetarit të Bordit, Xhemajl Rexha.
Në një postim në Facebook, AGK bën të ditur vërehet një tendencë e papranueshme e deputetëve të LVV-së për të fajësuar AGK-në dhe udhëheqësin e saj për rënien dramatike të Kosovës për 24 vende në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF).
“Rexha, një gazetar me përvojë 20 vjeçare në gazetari dhe integritet të lartë profesional, prej katër vitesh është në ballë të përpjekjeve për mbrojtjen e gazetarëve dhe për fuqizimin e lirisë së medies dhe shprehjes në Kosovë”.
“Deputetja e zgjedhur Arbëresha Hyseni Kryeziu ka targetuar në mënyrë të papranueshme personale Rexhën, kurse deputetë të tjerë të zgjedhur si Valon Ramadani dhe Arjeta Fejza kanë targetuar organizatën”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Ndër tjera, bëhet e ditur se AGK-ja i fton deputetët e Vetëvendosjes që t’i ndalojnë sulmet ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të organizatave të pavarura dhe të adresojnë me seriozitet situatën e paprecedentë alarmante të lirisë së mediave në Kosovë.
