Institucionet në vend kanë shpenzuar 29 milionë e 230 mijë euro gjatë tri viteve të fundit, vetëm për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje, akomodim dhe për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit.
Këto të dhëna dalin nga raporti i buxhetit të vitit të kaluar të Ministrisë së Financave, ku vërehet një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve të luksit në vitin 2024, në raport me vitet paraprake 2023 dhe 2022.
Sipas raportit, gjatë vitit 2022, për udhëtime zyrtare janë shpenzuar 2.5 milionë euro, për mëditje dhe udhëtime 2.6 milionë euro, ndërsa për akomodim 1.9 milionë euro, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 961 mijë euro apo në total 7 milionë e 961 mijë euro.
Në vitin 2023, kjo shumë është rritur ndjeshëm: 3 milionë euro për udhëtime, 3.2 milionë euro për mëditje dhe 2.1 milionë euro për akomodim jashtë vendit, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 1.2 milionë euro apo në total 9 milionë e 500 mijë euro.
Ndërkohë që viti 2024 shënon kulmin e këtyre shpenzimeve, me 4.2 milionë euro të shpenzuara për udhëtime, 3.9 milionë euro për mëditje dhe 2.7 milionë euro për akomodim, për shpenzime tjera për udhëtim zyrtar jashtë vendit 971 mijë euro apo në total 11 milionë e 770 mijë euro.
Shifrat ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi prioritetet e institucioneve publike, sidomos në një kohë kur qytetarët përballen me kriza sociale, mungesë të investimeve në sektorë kyç si shëndetësia dhe arsimi, si dhe me vështirësi ekonomike të përditshme.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline ka folur për shpenzimet e institucioneve gjatë tri viteve të fundit, të cilat kanë arritur në mbi 29 milionë euro për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje dhe akomodim.
Shala ka theksuar se rritja enorme e këtyre shpenzimeve nuk ka sjellë asnjë kthim real për vendin, duke vënë në pah mungesën e rezultateve konkrete dhe dëmet që, sipas tij, po u shkaktohen qytetarëve.
“Është e vërtetë se ka një rritje enorme të shpenzimeve të qeverisë, por fatkeqësisht nuk kemi një rezultat kthyes dhe sikur të arsyetoheshin shpenzimet e Qeverisë me të hyrat politike të vendit,” ka deklaruar Shala.
Ai ka theksuar se këto shpenzime jo vetëm që nuk kanë përmirësuar pozitën ndërkombëtare të vendit, por kanë ndikuar negativisht në raportet me partnerët strategjikë dhe në klimën investuese.
“Të gjitha këto shpenzime të mëdha kanë rezultuar që sot ne nuk kemi raporte bashkëpunimi me shumë institucione ndërkombëtare dhe vendore. Sot ne nuk kemi investitorë të ardhshëm. Gjitha këto shëtitje nëpër glob kanë rezultuar me rezultat zero,” ka thënë ai për FrontOnline.
Deputeti i PDK-së e ka quajtur Qeverinë joefikase, duke e lidhur rritjen e shpenzimeve me përkeqësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.
