Eksponentët e Vetëvendosjes në garë për drejtimin e QKUK-së

Eksponentë të Vetëvendosjes po synojnë drejtorin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), shkruan Demokracia.com.

Divizioni i Burimeve Njerëzore të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) ka publikuar emrat e kandidatëve që i plotësojnë kriteret për pozitën e drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si dhe për drejtorët e spitaleve të përgjithshme në Ferizaj dhe Mitrovicë.

Sipas një njoftimi zyrtar në uebfaqen e ShSKUK-së, është publikuar lista e kandidatëve që i plotësojnë kriteret për drejtor të QKUK-së, si dhe të spitaleve në Ferizaj dhe Mitrovicë.

Për pozitën e drejtorit të QKUK-së, kandidatët janë: Enver Gashi, Osman Hajdari dhe Zef Ndrejaj.

Zef Ndrejaj ka qenë kandidatë i Vetëvendosjes për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ia ka arritur të sigurojë mandatin.

Po ashtu në garë është edhe ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Osman Hajdari, i cili ishte emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Për pozitën e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, kandidatët janë: Fikret Arifi, Blerim Gashi, Vllaznim Tahiri dhe Jeton Zeqiri.

Ndërsa për pozitën e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, kandidatët janë: Hakif Veliu, Gëzim Berisha, Bashkim Hasani dhe Laura Nushi.

Mirsad Shkreta është kandidati i vetëm që ka kaluar testin me shkrim për pozitën e drejtorit të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK), sipas një konkursi të zhvilluar javën e kaluar.

Shkreta ka qenë deputet i LVV-së në legjislaturën e kaluar dhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka arritur të rizgjidhet pasi ka marr vetëm 10213 vota. /Demokracia.com/