Burime të “Betimit për Drejtësi” kanë konfirmuar se Nikollaj, i cili ishte në arrati, është ndaluar nga autoritetet spanjolle.
Ai ishte i kërkuar edhe nga FBI-ja për trafikim narkotikësh dhe për pesë vjet dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të marihuanës nga Kanadaja në New York, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më 5 gusht 2023, një person kishte vdekur nga katër të plagosurit në “Bon Vivant”. Ngjarja raportohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.
Për këtë vrasje, Andi Pajaziti ishte liruar nga akuza derisa ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje, duke i marrë dy vite burgim.
Në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, i cili tash është arrestuar në Spanjë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”./
