“S’e dini kon e keni arrestu…”/ Ky është i riu që i kërcënoi policët, u kap mat duke vozitur me telefon në dorë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.Kështu ka ndodhur edhe të martën në rrugën “Eliot Engel”, ku një person po dyshohet se ka kanosur zyrtarët policorë, urdhrat e të cilëve nuk i ka përfillur.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që përfundoi në ndalim policor për këtë rast është Pajtim Hadergjonaj, 34-vjeçar.Sipas informacioneve të para, Policia e ka urdhëruar të dyshuarin për t’u ndalur pasi gjatë lëvizjes ka përdorur telefonin, por i njëjti fillimisht i ka shpërfillur.Për të mos mbaruar me kaq, Hadergjonaj është kapur me zyrtarët policorë, të cilët i ka kanosur me fjalë të ndryshme, derisa ka filluar edhe t’i shtyjë me duar.Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari iu është drejtuar policëve duke iu thënë “Kush k… jeni ju, çka keni – s’e dini kon e keni arrestu, keni me ma pa sherrin”.
Si pasojë e sjelljeve të tij, Policia është detyruar që ta vë situatën nën kontroll dhe e ka arrestuar të dyshuarin dhe më pas është shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar”.Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti gjersa ishte duke drejtuar veturën e tij, fillimisht nuk ka përfillur urdhrat e dhënë nga zyrtarët policorë për ndalim e më pas verbalisht ka kanosur zyrtarët policorë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.