Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) po vazhdon të mbyllë një nga një rastet e dyshuara për konflikt interesi që lidhen me Qeverinë Kurti në ikje, pa asnjë gjetje konkrete, duke ngritur dyshime mbi seriozitetin e trajtimit të këtyre rasteve, shkruan Demokracia.com.
Së fundmi, ajo ka mbyllur rastin e Burim Lecit, Zëvendës Drejtorit Ekzekutiv Operativ të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me arsyetimin se nuk ka prova që vërtetojnë ekzistencën e një konflikti interesi apo papajtueshmërie me ushtrimin e funksionit publik.
Ky rast u trajtua nga agjencia pas një denoncimi të jashtëm, ku kërkohej inicimi i procedurës për konflikt interesi, meqë Leci përpara se të emërohej në AKP kishte qenë drejtor menaxhues i kompanisë “IP-KOS” SH.P.K., e cila ka në shfrytëzim një numër të madh pompash që menaxhohen nga vetë AKP-ja.
Në raportin e saj, agjencia thekson se ka shqyrtuar pretendimet e raportuesit sipas dispozitave ligjore, duke analizuar edhe deklaratat e Lecit, i cili pretendon se ka ndërprerë çdo lidhje me kompaninë “IP-KOS” para se të merrte detyrën në AKP.
Në mbështetje të pretendimeve të tij, Leci ka dorëzuar dokumente që tregojnë largimin e tij nga kompania më 30 qershor 2024, ndërsa angazhimin në AKP më 15 korrik 2024. Po ashtu, ai ka deklaruar me shkrim se nuk ka marrë pjesë në asnjë vendimmarrje që lidhet me kompaninë ku kishte punuar më parë.
Megjithatë, nga të dhënat e siguruara nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), del se Leci figuron si drejtor menaxhues i “IP-KOS” deri më 24 korrik 2024, pra pas datës kur ai ka filluar punën në AKP. Pavarësisht kësaj, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar se nuk ka shkelje ligjore dhe ka mbyllur rastin pa ndonjë masë.
Kjo praktikë e mbylljes së rasteve të dyshimta për konflikt interesi, pa hetim të thelluar dhe pa marrë parasysh implikimet etike, ngrit pikëpyetje serioze mbi efektivitetin dhe paanshmërinë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në trajtimin e rasteve që prekin zyrtarë të lartë shtetërorë. /Demokracia.com/
Raporti i plotë:




