Heqja e bezit me simbolet e Kishës Ortodokse Serbe nga kambana e një kishe në Rahovec ka bërë bashkë të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Listën Serbe.
Me reagime ku kanë akuzuar për jotolerancë etnike e fetare, ato kanë thënë se kjo reflekton “retoriken antiserbe” në Prishtinë.
Mediet serbe në Kosovë kanë bërë me dije se doras të panjohur, me fytyra të mbuluara me maska, kanë larguar flamujt e Kishës Ortodokse Serbe nga kambana dhe flakadani i kishës Ngritja e Virgjëreshës Mari në Rahovec.
Sipas priftit të famullisë, Milan Stanojeviq, mëngjesin e sotëm, pas shërbesës në kishë, kanë vënë re se në kambanë nuk ndodhej flamuri.
“Pasi u larguam nga kisha, ne vumë re se flamuri, i gjatë nëntë metra, që ishte në kullën e kambanës ishte shqyer dhe hedhur për tokë, kurse flamuri tjetër me emblemat patriarkale është hequr nga flakadani, dhe me gjasë e kanë marrë”, ka thënë Stanojeviq.
Prifti ka thënë se ky incident është regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe se gjithçka ngjau 40 minuta pas mesnate.
Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se policia ka kryer hetime dhe ka marrë deklarata.
Fillojnë reagimet
Duke e shfrytëzuar rastin, e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se ky incident flet se politika e shkatërrimit, desakrimit dhe djegies së gjithçkaje serbe është ende e gjallë në Prishtinë.
“Kjo tregon qartazi për jotolerancën etnike e fetare të dorasve, që padyshim janë frymëzuar nga retorika e përditshme antiserbe dhe lëvizjet e autoriteteve të Prishtinës. Në vend se të ndërtohet tolerancë fetare e ndëretnike, ne po shohim sulme e provokime të shpeshta kundër popullit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe, dhe se për sulme të tilla, si rregull, dorasit kurrë nuk mbahen përgjegjës”, është thënë në kumtesën e së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën.
Edhe Lista Serbe në të njëjtin avaz
Nuk ka ndryshuar shumë as reagimi i Listës Serbe dhe kryetarit të saj të ri, Zlatan Elek.
Sipas tij, “ky akt i turpshëm dhe vandal vjen pak ditë pasi në mediet shqiptare u shpalos një gënjeshtër se kujt i përkasin manastiret serbe në këto anë.”
Ai u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të reagojnë sa më parë, meqë, sipas tij, heshtja e tyre mund të merret si miratim.
“Jeta shumëetnike e shumëkonfesionale që ata e promovojnë po zhduket përpara syve të tyre nga këto sulme ekstremistësh, dhe ata po qëndrojnë të heshtur. Është detyra dhe përgjegjësia e tyre për ta ngritur zërin e t’i dënojnë këto sulme, për shkak se heshtja e tyre po interpretohet si miratim”.
Nuk ishte hera e parë…
Le të kujtojmë se Kisha Ortodokse Serbe, sidomos me anë të Dioqezës Rashkë-Prizren, është tejet aktive për reagime të tilla.
Në fillim të muajit të kaluar, shtrimi i një rrugine me kubëza pranë shpellës asketore të Shën Pjetrit, në Korishë të Prizrenit, ishte përdorur nga Dioqeza Rashkë-Prizren për të alarmuar për gjoja rrezikimin e trashëgimisë ortodokse në Kosovë.
NACIONALE kishte paralajmëruar se reagime si këto krijojnë përshtypjen se po krijohet një dosje anti-Kosovë në vigjilje të mbledhjes së radhës në Këshillin e Sigurimit.
Dosje në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit
Në të kaluarën njoftimet alarmuese, shpesh me ekzagjerime, kanë paraprirë mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës.
Çështja e trashëgimisë së kishave e manastireve ortodokse vazhdimisht është problematizuar nga diplomacia e Beogradit.
Në mbledhjen e vjetshme, në prill, delegacioni serb, ndër të tjerash, kishte alarmuar për gjoja rrëmbimin e dhunshëm të pronës së Kishës Ortodokse Serbe dhe cenimin e zonave të mbrojtura rreth kishave e manastireve ortodokse.
Sado që Këshilli i Sigurimit ende nuk e ka njoftuar datën e mbledhjes së radhës për Kosovën, viteve të fundit Këshilli ka mbajtur mbledhje dy herë në vit, zakonisht në prill dhe tetor.
