Shala: Strukturat inteligjente të Serbisë kanë qëllim të mbjellin frikë

Siguria në veriun e vendit ishte një nga temat kryesore që u trajtua edhe sot në emisionin e mëngjesit në Klan Kosova.

Mesnatën e së hënës, ndodhi një shpërthim në zyrën e Postës së Kosovës në Zveçan, ku përpos dëmeve materiale në objekt, fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, tha se Serbia me mekanizmat e saj, po tenton të terrorizojë institcionet e Republikës së Kosovës.

“E dëshmon faktin se në pjesën veriore veprojnë strukturat inteligjente dhe veprojnë strukturat që e kanë atë qëllim të mbjellin frikën dhe kanë për qëllim të paralizojnë institucionet e Kosovës”, tha Shala.

Ai shtoi se qëllimi tjetër është të ju tregojë popullsisë së këtij komuniteti që të mos bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, por t’i binden urdhrave të shtetit të Serbisë.

Edhe profesori i kriminalistikës Mensut Ademi, edhe opinionisti Dardan Islami, i dhanë mendimet e tyre rreth sigurisë në vend dhe rajon.