Gjobat e trafikut nga 3 prilli dërgohen në adresë të pronarëve të automjeteve

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga data 3 prill do të fillojë dërgimin e gjobave të trafikut në adresë të pronarit të automjetit për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve.

Në njoftimin e Policisë thuhet se gjobat do të dërgohen përmes Postës së Kosovës dhe përmes platformës e-Kosova.

Policia ka njoftuar se pronari i automjetit do të pranojë gjobën në adresën e tij.

“Nëse ai nuk ishte drejtuesi i mjetit në momentin e shkeljes, është i detyruar të sigurojë të dhënat e shoferit”, thuhet në njoftim.

Mosdorëzimi i këtyre të dhënave thuhet se sjell masa ligjore për personat fizikë dhe juridikë.

Në njoftim thuhet se kundërvajtësit do të përfitojnë 50% zbritje në pagesë, nëse e paguajnë gjobën brenda afatit ligjor.

Gjithashtu thuhet se qytetarët kanë të drejtën e ankesës nëse nuk pajtoheni me gjobën.

Në njoftim thuhet se qytetarët që kanë shitur automjetet duhet t’i njoftojnë autoritetet.

“Nëse nuk e keni më në pronësi një automjet, njoftoni autoritetet dhe transferoni pronësinë, për të shmangur gjobat dhe shqetësimet e panevojshme”, thuhet në njoftim.