Justin Trudeau do të dorëhiqet si kryeministri i 23-të i Kanadasë gjatë ditës së sotme.
Trudeau, që qëndroi në pushtet për gati një dekadë, do të japë dorëheqjen të cilën e paralajmëroi fillimisht në janar.
Gjatë njoftimit, personi që i solli Kanadasë programin e të hyrave bazike “Canada Child Benefit”, e legalizoi marihuanën, e drejtoi vendin gjatë pandemisë COVID-19, dhe u përball me shumë kritika në vitet pasuese, do të largohet nga detyra, raporton “ctvnews”, transmeton Klankosova.tv.
“Faleminderit Kanada – që më besove, më sfidove dhe me dhe privilegjin për t’i shërbyer vendit më të mirë në botë, dhe njerëzve më të mirë në Tokë”, shkroi Trudeau të premten në rrjetet sociale.
Në vend të tij do të vijë Mark Carney.
Kryeministri i ri me gjasë do të përballet me një sërë çështjes, nga udhëtimi i tij i parë jashtë vendit si kryeministër e deri te planet se a do të bisedojë me presidentin amerikan Donald Trump dhe me liderët tjerë botërorë, dhe nëse ka në plan të shpërbëjë Parlamentin apo t’i çojë kanadezët sërish në zgjedhje këtë pranverë.
Lufta tregtare me Trumpin
Kanadaja po përballet me perspektivën e një lufte të zgjatur tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti i ShBA-së Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë vendin, duke nxitur zemërim dhe pasiguri të gjerë.
Tani, ndërsa Trudeau është vendosur të japë zyrtarisht dorëheqjen të premten – duke i hapur rrugën shefit të ri të Partisë Liberale Mark Carney për të marrë postin e kryeministrit – ekspertët thonë se mënyra se si lideri në largim i trajtoi trazirat e fundit do të mbahet mend pozitivisht.
“Ai bëri një punë të jashtëzakonshme në largim”, tha Charles-Etienne Beaudry, profesor i shkencave politike në Universitetin e Otavës.
“Ai punoi më shumë se kurrë për t’u marrë me kërcënimet tarifore të Trumpit, për të komunikuar me kanadezët, për të mbajtur fjalime të forta … [dhe] për të organizuar përgjigjen”, tha Beaudry për “Al Jazeera”.
Ligjvënësit liberalë po bënin thirrje që ai të largohej për t’u dhënë atyre një shans më të mirë në zgjedhjet federale të vitit 2025, por Trudeau i kishte kundërshtuar kryesisht ato thirrje, duke thënë se ai kishte në plan ta shihte partinë në zgjedhjet e ardhshme.
Kërcënimet e Trumpit për tarifat rritën presionin, por njëjtë bëri edhe dorëheqja tronditëse e zëvendëses së Trudeaut, ish-ministres së financave Chrystia Freeland, në mes të dhjetorit.
Më 6 janar, Trudeau tha se do të jepte dorëheqjen sapo Liberalët të zgjidhnin liderin e tyre të ardhshëm.
“Ky vend meriton një zgjedhje reale në zgjedhjet e ardhshme dhe më është bërë e qartë se nëse më duhet të luftoj beteja të brendshme, nuk mund të jem alternativa më e mirë në ato zgjedhje”, tha ai në fjalimin e tij të dorëheqjes nga Otava.
Stewart Prest, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kolumbisë Britanike, tha se ndjenja në atë kohë ishte se Trudeau “e kishte tejkaluar mirëpritjen e tij”.
“Si me çdo politikan, Trudeau u përball me incidente me kalimin e kohës dhe njerëzit kishin vendosur ta fajësonin atë për një sërë gjërash”, tha Prest, duke shtuar gjithashtu se ekzistonte një ndjenjë se qeveria kishte humbur kontaktet me kanadezët.
“Trudeau ishte një udhëheqës i vuajtur”.
Përgjigje e fortë ndaj Trumpit
Por kjo ndryshoi pasi ai njoftoi planin e tij për të dhënë dorëheqjen, tha Perst për “Al Jazeera”.
Me heqjen e ngarkesës së papritur nga nevoja për të kundërshtuar sulmet e opozitës konservatore ose për t’i bërë ballë presionit nga partia e tij, kryeministri u bë fytyra e “rezistencës së sjellshme, por pa kompromis” të Kanadasë ndaj Trumpit, shpjegoi Perst.
“Duket se Trudeau gjeti një jetë të re dhe një zë të ri për të folur në emër të kanadezëve … dhe në mbrojtje të kanadezëve, në një gjuhë shumë të pakompromis, por një gjuhë që është ende qartësisht kanadeze”, tha ai.
“Ai [ishte] në gjendje të mbronte ato që vërtet kishin rëndësi në vend që të shqetësohej vazhdimisht për kalkulimet e ngushta politike ditore”.
Në të vërtetë, ndërsa sulmet e paprecedentë të Trumpit kundër Kanadasë nxitën ankth, Trudeau theksoi nevojën që kanadezët të mbeten të bashkuar.
Fjalim pas fjalimi, ai premtoi mbështetje për punëtorët dhe bizneset që do të mbajnë barrën e tarifave amerikane dhe premtoi kundërmasa të forta, duke përfshirë miliarda dollarë taksa hakmarrëse për mallrat amerikane.
Ai gjithashtu hodhi poshtë fuqishëm “dëshirën” e Trumpit për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të ShBA-së.
“Jam i sigurt se shumë prej jush janë në ankth”, u tha Trudeau kanadezëve në një fjalim më 1 shkurt, vetëm disa ditë përpara se tarifat 25 për qind të ShBA-së të hynin në fuqi për herë të parë. “Por dua që ju të dini se ne jemi të gjithë në këtë së bashku”.
Beaudry në Universitetin e Otavës tha se fjalimi ishte një nga të shumtët që e pozicionuan Trudeaun si një “figurë qetësuese” në një moment kyç për Kanadanë. “Një përfundim i fortë është i rëndësishëm dhe ai e dinte këtë”, tha profesori.
“Ai ka një karakter të fortë që jo të gjithë e kanë”.
Trudeau “në momentin e tij më të mirë”
Ndërkohë, dorëheqja e Trudeaut – së bashku me kërcënimet nga Trumpi dhe gara e lidershipit liberal – ndihmoi në rinovimin e entuziazmit në partinë e tij.
Liberalët janë rikthyer në sondazhe dhe tani pritet të jenë në një luftë të ngushtë kundër konservatorëve në zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të ndodhin që në fillim të muajit të ardhshëm.
Shachi Kurl, presidente e Institutit Angus Reid, një grup jofitimprurës që merret me sondazhe dhe kërkime, tha se kriza Kanada-ShBA zbuloi pikat e forta të Trudeaut.
Dhe ndërsa Trudeau vazhdon të ketë kundërshtarët e tij – dhe nëntë vitet e tij në qeveri prodhuan një trashëgimi të përzier në përgjithësi – ekspertët thanë se javët e tij të fundit si kryeministër do të shihen në mënyrë të favorshme.
“Në një moment të krenarisë së përtërirë kombëtare, patriotizmit dhe unitetit”, tha Kurl, “ai u duk sikur po e përqafonte momentin”. /Klankosova.tv