Dodik: Do të formojmë gjykatën tonë dhe i akuzuari i parë do të jetë Schmidt, “do ta ndjekim si kafshën”

Kryetari i enklavës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë e quajtur Republika Serbe, Millorad Dodik, ka deklaruar se Republika Serbe sot do të formojë gjykatën dhe prokurorinë e saj, duke theksuar se i pari që do të akuzohet do të jetë përfaqësuesi i lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Сhristian Schmidt.

„Do ta ndjekim si një kafshë“, ka thënë Dodik në fjalimin e tij drejtuar deputetëve në Kuvendin e RS, i cili sot po diskuton projektligjin e Kushtetutës së re të entitetit dhe Ligjin për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.

Dodik, i cili është gjithashtu lider i Lidhjes së Socialdemokratëve të Pavarur (LSDP) në pushtet, ka thënë se për miratimin e Kushtetutës së re të RS nevojitet mbështetja shumicës së dy të tretave, të cilën koalicioni qeverisës nuk e ka, prandaj është e nevojshme mbështetje e deputetëve të partive opozitare.

Ai ka theksuar se ish-përfaqësuesi i lartë, Wolfgang Petrich, kishte imponuar shumë amendamente në Kushtetutën e RS, dhe për këtë arsye, siç vlerësoi ai, Kushtetuta aktuale e RS „nuk është vullneti i popullit, por vullneti i të huajve“, transmeton Paparaci.

Ai ka thënë se ato vendime të imponuara ishin miratuar në Kuvendin Parlamentar të RS, por se ato “nuk janë në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”.

Sipas tij, deputetët në parlamentin e BeH „nuk janë Republika Serbe“, dhe RS asnjëherë nuk ka marrë një qëndrim për këto ligje të imponuara.

Dodiku ka shtuar se gjendja në RS është „më e mirë se më parë“, sepse „RS ka më shumë miq në botë“.

„Na mbytën me imponime të ndryshme, shteti është vetëm ai që mund të zbatojë vendimet e tij, ndërsa BeH nuk do të mund ta zbatojë këtë pa ne“, ka vazhduar Dodik.

Ai ka theksuar se RS qëllimisht nuk ka dëshiruar të emërojë dy gjyqtarë serbë në Gjykatën Kushtetuese të BeH, në vend të atyre që kanë dalë në pension, për të mund të kundërshtojë punën dhe vendimet e kësaj gjykate.

Sipas projektit të Kushtetutës së re të RS, ky entitet i BeH ka të drejtë për vetëvendosje, ndërkohë që Këshilli i Popujve të RS dhe nënkryetarët e RS do të hiqen.

Po ashtu, do të hiqet edhe shtetësia e BeH dhe do të përmendet vetëm shtetësia e entitetit.

Gjithashtu parashihet riformimi i Ushtrisë së RS, si dhe krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë së RS, i cili do të emërojë gjyqtarët dhe prokurorët në këtë entitet të BeH.

Ambasadorët e BeH të kombësisë serbe do të emërohen nga presidenti i RS, në vend të anëtarit serb të Presidencës së BeH, dhe ligjet në nivelin shtetëror do të duhet të miratohen gjithashtu nga Kuvendi i Popullit të RS.

Sipas projektit të Kushtetutës së re, kryeqyteti i RS do të jetë Banjalluka, në vend të Sarajevës, siç është parashikuar në Kushtetutën aktuale.