Gjykimi për krime lufte ndaj Gjokoviqit, ish-i burgosuri thotë se forcat serbe i rrahën derisa i dërguan në burg

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Milorad Gjokoviq, dëshmitari Xhevdet Gashi deklaroi që ndaj tyre si të burgosur ishte ushtruar dhunë, ditën kur janë dërguar në burgun e Pejës.

“Derisa na kanë çu në Pejë, jo. Kur na kanë çu në burg, aty na kanë renditë për muri, na kanë mbështetë. Aty kanë fillu të na rrahin një nga një tu na shti brenda”, tha dëshmitari Gashi.

Në këtë rast, Milorad Gjokoviq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, në vitet 1998-1999 ka kryer krime lufte në fshatin Ozdrim dhe në fshatrat përreth rajonit të Pejës.

Dëshmitari Gashi derisa tregoi për ngjarjen e burgosjes, tha që ofensiva serbe i kanë marrë banorët e asaj lagje të Ozdrimit dhe i kanë larguar nga shtëpitë e tyre.

Ai deklaroi se forcat serbe i kanë vendosur në një garazh, në të cilën kanë qëndruar deri ditën tjetër.

“Në mbrëmje na kanë shti në një garazh auto-mekanike. Na kanë mshel dhe kemi nejt atë natë aty dhe të nesërmit deri në mbrëmje. Në mbrëmje ka mesi i natës kanë ardhë na kanë marrë, na kanë dërgu për në Pejë”, shtoi tutje dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi tha se nuk ka arritur ta identifikojë ndonjërin nga pjesëtarët e forcave serbe. Tha se e njeh të akuzuarin Gjokoviq.

“Po, ka punu në zyrën e vendit, por nuk e kam pa”, tha dëshmitari.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq  ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.