Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas takimit që ka pasur me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se prania e tij në Prishtinë është një demonstrim i përkushtimit të NATO-s për siguri afatgjate në Kosovë dhe pastaj për stabilitetin e rajonit.
Rutte tha se me të paren e shtetit patën një diskutim të frytshëm për sa i përket gjendjes së sigurisë në Kosovë, teksa shtoi se një rajon më i sigurt i Ballkanit Perëndimor nënkupton më shumë siguri për të gjithë zonën e NATO-s.
“Duhet ta keni të qartë se çka keni para nesh, dekada të stërzgjatura të ndërtimit të paqes nuk mund të lihen anash. Jemi plotësisht gati për t’iu përgjigjur çfarëdo lloj zhvillimi të sigurisë dhe në këtë kuptim shpresojmë të kemi një bashkëpunim edhe më të thellë në mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, kjo është shumë me rëndësi për ne”, tha Rutte, njofton Klankosova.tv.
Ai po ashtu i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kenë angazhim konstruktiv në dialog, teksa tha se të dyja palët duhet të bëjnë kompromiset e duhura.