Iniciativa Studentore për Novacion 68 ka mbajtur një aksion simbolik para Qendrës së Studentëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre për shndërrimin në zyrë të një hapësire të shfrytëzuar më herët nga studentët.
Bujar Hoxha anëtar i organizatës ka thënë se nuk kanë hapësira për të zhvilluar aktivitete kulturore.
“Sallat ku duhet të organizojmë debate aktivitete kulturore janë të mbyllura për ne. Në vend të hapësirave për studentë kemi hapësira për administratë”, ka thënë ai.
Anëtari i bordit të organizatës, Ilir Kiçmari, ka thënë se menaxhmenti ka neglizhuar kërkesat e tyre.
“Menaxhmentit i kemi bërë kërkesa, por nuk kanë kthyer asnjë përgjigje. Këtë hapësirën ku ka qenë sallë e konferencave e kanë kthyer në zyra për Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Po ashtu, kemi dëgjuar, nuk e kemi të konfirmuar pasi menaxhmenti na neglizhonte nuk na kthen përgjigje, që amfiteatri do të kthehet në objekt banimi. E këto janë hapësira që u ndihmojnë studentëve të zhvillojnë aktivitete kulturore e aktivitete që zhvillojnë mendimin kritikë”, ka deklaruar ai.
Drejtori i Qendrës Studentore, Ekrem Rudari, ka thënë se studentët banues kanë hapësira për të zhvilluar aktivitete. Ai ka shtuar se nuk ka pasur ankesa nga studentët që jetojnë aty, por vetëm nga kjo organizatë.
“Këta as nuk janë studentë e as nuk jetojnë në konvikte”, ka thënë ai. “Për hapësirën që ata kanë shpreh ankesa, ju e dini që kjo pjesë gjithmonë ka qenë administrative. Këtu jemi ne, janë SBASHK-u, është AKA-ja”, është shprehur Rudari.
Ndërsa sa i përket pretendimeve se amfiteatri do të shndërrohet në objekt banimi, Rudari ka thënë se deri më tani nuk ka një plan konkret.