Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, edhe një herë ka përsëritur vendimin e kësaj partie për të mos bërë koalicion me partinë në pushtet. Ai thotë se më parë bëhet qeveria me opozitën sesa me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka komentuar deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se nuk do t’i bashkohen asnjë qeverie pa postin e kryeministrit.
Hamza tha në “Rubikon” se PDK-ja është e gatshme për bashkëpunim me partitë opozitare, por sipas tij, është e drejtë dhe logjike që posti i kryeministrit t’i takojë partisë më numër më të madh të deputetëve.
“Ne do ta thërrasim edhe LDK-në, edhe AAK-në, edhe të gjitha partitë tjera që kanë qenë në opozitë për të krijuar qeverinë. Për deklaratën e Abdixhikut, e lexova që ka vend për negociata. Është mirë me u ulë në tavolinë. Situata është e qartë. Partia Demokratike e Kosovës i ka 24 deputetë dhe partitë tjera opozitare kanë më pak deputetë. Mendoj që kjo është edhe e drejtë”, tha Hamza.
Ai theksoi se në rast të dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë, PDK-ja do ta marrë iniciativën për të krijuar kabinetin qeverisës.
“E drejtë është që Partia Demokratike e Kosovës, në rast se VV dështon në formimin e Qeverisë, ta marrë iniciativën për krijimin e qeverisë dhe ta udhëheq atë. Jam i gatshëm të diskutoj me të gjitha partitë me respekt maksimal. Për postin e kryeministrit, ajo dihet, është e qartë, i takon partisë që është më e madhe. Është logjike. Është e drejtë,” u shpreh Hamza.
Deklaratat e tij vijnë pasi kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi gjatë një konference për media se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie pa postin e kryeministrit.
“Qëndrimi ynë elektoral e paraelektroal ka qenë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeveria pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani”, tha ai.
Nga ana tjetër, Hamza tha në Rubikon se opozita ka më shumë mundësi për të formuar qeverinë sesa Lëvizja Vetëvendosje.
Ai gjithashtu ishte i prerë se PDK nuk do të bashkëpunojë me LVV-në për formimin e qeverisë së re.
“Partia Demokratike e Kosovës e pret radhën. Po që se prodhohet situata dhe unë besoj që shumë më e mundshme edhe për shkak të programeve, edhe për shkak të numrave, është që opozita me kriju qeverinë se sa Lëvizja Vetëvendosje. Me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka”, tha Hamza.