Rivotimi në diasporë si taktikë e Kurtit dhe VV-së për të ndryshuar e manipuluar rezultatin e zgjedhjeve

Kërkesa e partisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për organizim të Rivotimit për 85 mijë votuesit me postë, duket se nuk është një ankesë për shkak të ndonjë “parregullësie”.

Kurti dhe Vetëvendosje, që nuk i dolën llogaritë nga votimi i diasporës pasi LDK dhe partitë opozitare arritën të merrnin vota të konsiderueshme nga mërgata, po tenton të përsërisë votimin me qëllimin për të ndryshuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Organizimi i rivotimit është taktizimi i radhës i Vetëvendosjes, jo vetëm për të stërzgjatur procesin zgjedhor, por edhe për t’u përpjekur për ta ndryshuar atë.

Ndryshimi i rezultatit zgjedhor mund të sjellë ndryshim edhe të numrit të deputetëve të partisë kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Është e vështirë të thuhet nëse votuesit e njejtë të regjistruar do të kishin motivin e njejtë për të votuar ashtu siç bënë para 9 shkurtit duke u regjistruar dhe votuar përmes postës.

Në këtë situatë, rezultati më lehtë i cënueshëm ështe pikërisht rezultati i partive opozitare, sidomos kur janë të njohura ndërhyrjet e mëdha të pushtetit të Kurtit në procesin zgjedhor.

Të premten, më 7 mars, Demokracia.com ka raportuar se si më shumë se 60 fletëvotime nga votimi me postë Lëvizja Vetëvendosje i ka dorëzuar si pjesë të ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dëshmi se ato janë llogaritur gabimisht si të pavlefshme.

Por, duke u përpjekur të dëshmojë se këto fletëvotime janë të vlefshme, Vetëvendosje ka ngritur dyshime të mëdha nëse këto fletëvotime janë pjesë e votimit të manipuluar nga diaspora.

Të gjitha fletëvotimet që janë pjesë e ankesës së partisë së Kurtit, e cila kërkon nga PZAP-i të llogariten të vlefshme, kanë të njëjtin gabim teknik pasi që ato janë shtypur në një format të tillë që u mungon subjekti i fundit politik i certifikuar nga KQZ me numrin rendor 138.

 

Çuditërisht, Kurti ka kërkuar Rivotim vetëm në votimin me postë, aty ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm, por nuk ka kërkuar Rivotim edhe për votimin në Përfaqësitë Diplomatike aty ku Vetëvendosje ka pushtetin dhe kishte fituar me rezultat të dyshimtë, 80,71%. / Demokracia.com /