Haradinaj: Shkolla shqipe jo vetëm vatër e dijes, por themel i rezistencës kombëtare

Sot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit.

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se përgjatë historisë, mësuesit kanë qenë shtylla kryesore e formësimit të brezave, duke mbjellë dijen dhe ndërgjegjen kombëtare.

Ai po ashtu shprehu mirënjohje ndaj të gjithë mësimdhënësve, transmeton Klankosova.tv.

“Gjatë gjithë historisë sonë, mësuesit kanë qenë shtylla kryesore në formësimin e brezave, duke mbjellë dijen dhe ndërgjegjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, nuk ishte thjesht një shkollë – ishte një betejë dhe një fitore për të ardhmen”, ka shkruar Ramushi në Facebook.

Haradinaj shton se shkolla shqipe nuk ishte vetëm vatër e dijes, por edhe themel i rezistencës kombëtare.

“Shkolla shqipe ndër dekada ishte jo vetëm vatër e dijes, por edhe themel i rezistencës kombëtare. Mësuesit tanë, në kohë të vështira e në kohë më të lehta, kanë mbajtur të gjallë shpirtin shqiptar. Mirënjohje e përhershme për gjithë mësimdhënësit për punën e tyre! Gëzuar 7 Marsin!”.