Pse Trump emëroi 13-vjeçarin që bullizohej agjent të Shërbimit Sekret gjatë fjalimit në Kongres?

Kongresi Amerikan shpërtheu në brohoritje “DJ, DJ” ndërsa Presidenti Donald Trump realizoi ëndrrën e 13-vjeçarit DJ Daniel për t’u bërë oficer policie duke e emëruar atë agjent të Shërbimit Sekret.

Duke shpjeguar historinë e tij, Trump tha se Daniel ishte diagnostikuar me kancer në tru dhe se mjekët i kishin dhënë vetëm pesë muaj jetë. Ai u ngrit në krahë nga i ati ndërsa Salla e Kongresit ushtoi nga duartrokitjet.

“Sonte, DJ, do të të bëjmë nderin më të madh nga të gjithë. Po i kërkoj drejtorit tonë të ri të Shërbimit Sekret, Sean Curran, të të bëjë zyrtarisht agjent të Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara. Faleminderit, DJ,” tha Trump në fjalimin e tij të parë në Kongresin Amerikan pasi u zgjodh President për herë të dytë.

Ai theksoi se Daniel “gjithmonë kishte ëndërruar të bëhej oficer policie”.

Në rrjetin social “X” po qarkullon një video se si vitin e kaluar, DJ-i i ri Daniel u bullizua dhe u tall nga një grup njerëzish për shkak të veshjes së tij të policisë.