
SHARE:
Pas një vendimi të Panelit Shqyrtues të Prokurimit të Organeve Shqyrtuese të Prokurimit (OSHP), kompania Dëlirë Cleaning Co Sh.P.K është diskualifikuar nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit për një periudhë prej gjashtë muajve, shkruan Demokracia.com.
Sipas OSHP-së, kompania ka përdorur dokumente të falsifikuara për të fituar një kontratë publike, duke shkelur dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik (LPP).
“Ky operator ekonomik ka dorëzuar dokumente të manipuluara për të përmbushur kriteret e pranueshmërisë” , thuhet në vendimin e OSHP-së, i cili thekson se falsifikimi i dokumenteve është një shkelje e rëndë ligjore.
Sipas dokumenteve të Doganës së Kosovës, Dëlirë Cleaning Co Sh.P.K kishte dorëzuar një vërtetim tatimor të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për të dëshmuar se plotësonte kriteret e kërkuara. Mirëpo, pas verifikimeve, ATK-ja konstatoi se ky vërtetim nuk përputhej me të dhënat zyrtare në sistemin e saj.
“Pas shqyrtimit të dokumenteve, u konstatua se data e lëshimit të vërtetimit ishte ndryshuar, duke krijuar një pasqyrë të rreme për gjendjen financiare të kompanisë”, thuhet në raportin e ATK-së drejtuar Doganës së Kosovës.
Pas paraqitjes së provave nga Dogana e Kosovës, OSHP-ja i dha mundësinë Dëlirë Cleaning Co Sh.P.K të jepte shpjegime ose të paraqiste argumente mbrojtëse. “Organi Shqyrtues e ka njoftuar dy herë kompaninë për të dhënë sqarime, por ajo nuk është përgjigjur”, thuhet në vendim. Mospërgjigjja e kompanisë vetëm sa e ka forcuar vendimin për diskualifikim dhe vendosjen e saj në listën e zezë për gjashtë muaj.
Rasti i Dëlirë Cleaning Co Sh.P.K është një tjetër dëshmi e përpjekjeve për manipulim të procedurave të prokurimit publik në Kosovë. Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, falsifikimi i dokumenteve dhe mashtrimi në prokurim konsiderohen vepra penale.
Pra, oeratorët ekonomikë që kapen duke falsifikuar dokumente zyrtare mund të përballen jo vetëm me diskualifikim nga tenderët, por edhe me pasoja ligjore. Në raste të tilla, Prokuroria mund të hapë hetime për përgjegjësi penale ndaj kompanisë dhe përfaqësuesve të saj.
Me këtë vendim, Dëlirë Cleaning Co Sh.P.K nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë në tenderë për një periudhë prej gjashtë muajsh, ndërsa pritet të shihet nëse autoritetet do të ndërmarrin hapa të tjerë ligjorë ndaj saj. /Demokracia.com/




