Vdes agjenti i shërbimit sekret që shpëtoi Jacqueline Kennedy gjatë atentatit ndaj John F. Kennedy

Clint Hill, agjenti i Shërbimit Sekret Amerikan, i cili u hodh në limuzinën e John F. Kennedy-t gjatë sulmit të përgjakshëm në Dallas, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Ai u bë i njohur për momentin dramatik të asaj dite, kur u fotografua duke u ngjitur në pjesën e pasme të limuzinës pas të shtënave që morën jetën e presidentit të SHBA-së. Hill, një figurë e njohur dhe autor bestseller, ka vuajtur për dekada me ndjenjën e fajit për vrasjen e Kennedyt.

Lajmi për vdekjen e tij u njoftua të premten nga publicisti i tij, i cili deklaroi se Hill ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në Kaliforni.

Në 22 nëntor të vitit 1963, Hill ishte i ngarkuar me misionin për të mbrojtur Jacqueline Kennedy, gruan e presidentit, gjatë një vizite në Dallas. Kur u dëgjua e shtëna e parë, ai ishte duke udhëtuar në një automjet pas limuzinës dhe nxitoi menjëherë në drejtim të çiftit presidencial. Ai u hodh në pjesën e pasme të limuzinës, ndërkohë që të shtënat vazhdonin.

Origjina e tij ishte nga Dakota e Veriut, dhe Hill kishte shërbyer më parë në ushtri para se të bashkohej me Shërbimin Sekret në vitin 1958. Ai u nderua me një çmim për veprimet e tij heroike në Dallas dhe, me kalimin e kohës, u promovua në pozitat më të larta, duke u bërë ndihmës drejtor i Shërbimit Sekret.

Megjithatë, trauma që përjetoi gjatë atentatit e detyroi atë të tërhiqej nga Shërbimi Sekret në vitin 1975, kur ishte vetëm 43 vjeç. Hill e mbante mend gjithmonë momentin tragjik dhe besonte se, nëse do të kishte vepruar disa sekonda më shpejt, mund të kishte shpëtuar jetën e presidentit./Klankosova.tv