Ukraina e Kosova bashkohen nga miti për mineralet

Duke e ndjekur shpirtin risimtar të kohës, ekonomia dhe teknologjia e sotme po e bën hopin e saj drejt kalimit te mineralet kritike që janë të përputhshme me energjinë e gjelbër. Kjo ka bërë që të shtohet marramendshëm kërkesa për ‘arin’ e kohës moderne, të ashtuquajturat Elemente të Rralla të Tokës (Rare Earth Elements). Fjala është për gjithsejt 17 minerale kritike që përdoren për telefona mobilë, makina elektrike, sisteme raketore dhe elektronikë gjithfarëshe. Sado e pasur me minerale, të cilat i përmend edhe Trumpi, Ukraina nuk i ka shqeto këto pasuri, ose së paku jo të shfrytëzueshme. Kosova jo se jo. Pavarësisht kësaj, sot e gjithë ditën jeton midis nesh miti që Kosova është cepi më i pasur mineral në krejt Evropën.

Col Mehmeti

Depozitat minerale janë kudo. Me 90 elemente të cilat gjenden anepërtej planetit, cilido skaj i Tokës mund të ketë një sasi të vogël, mesatare ose të madhe të këtyre elementeve.

E thënë me një melmesë sarkazme, edhe livadhi i bacit Xhymshit ose ara e axhës Ismet duhet të ketë në thellësitë e veta një grusht mineralesh.

Por, vetëm burimi mineral llogaritet tamam si pasuri dhe kurdo që hetohen rezerva të bollëkta të tij, edhe mihja ia vlen barra qiranë.

Begatitë e nëndheshme minerale janë bërë temë interesante qëkurse presidenti amerikan, Donald Trump, foli për mineralet në Ukrainë.

Më saktë, presidenti republikan i ka ofruar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, një ujdi mineralesh me Shtetet e Bashkuara si pjesë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës disavjeçare me Rusinë.

Gjithnjë sipas burimeve, oferta amerikane ishte e tillë që propozonte të merrte hisen e pronësisë në 50 për qind të mineraleve kritike të Ukrainës—kjo edhe si një lloj barabitje për ndihmën e marrë gjatë luftës.

Hëpërhë, Zelenskyy nuk e ka mohuar prerazi ofertën në fjalë, porse ngurrimi i tij kishte të bënte që marrëveshja nuk kishte pas vetes edhe provizionet e sigurisë të cilat i kërkon Kyivi.

Një ABC për ‘mineralet kritike’

Kjo ofertë e beftë ka rikthyer si asnjëherë më parë fjalë kyçe si ‘mineralet kritike’ dhe kërkime të thjeshta për një përkufizim për to.

Një prej tyre thotë që “mineralet kritike, të tilla si bakri, lithiumi, nikeli, kobalti dhe elementet e rralla tokësore, janë komponente thelbësore të shumë prej teknologjive energjetike që janë në rritje e sipër – prej turbinave të erës e rrjeteve elektrike e deri te mjetet elektrike”.

Kërkesa për të tilla minerale po shtohet me të madhe teksa po përshpejtohet vetë tranzicioni i energjisë.

Kësodore, këto metale janë të fortnevojshme për prodhimin e gjërave hi-tech, veçmas për ato të energjisë së gjelbër, por edhe elektronikave të konsumit, infrastrukturës së inteligjencës articiale dhe armëve.

Në dritën e ndryshimeve klimatike, këtë yrysh e ka bërë edhe më të madh nevoja për shkëputje nga lëndet djegëse e një varësi gjithnjë e më e madhe te mineralet për kalim në energji të përtritshme.

Kobalti, bakri, lithiumi e nikeli, të cilët përdoren edhe për prodhimin e telefonëve mobilë, qendrave të të dhënave AI apo avionëve F-35, janë në mesin e më të kërkuarve.

Me ekspansionin e madh të teknologjive, vlera për minerale si këto është në ngritje të vazhdueshme.

Sa për shembull, më 2023, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka vlerësuar se tregu për mineralet për kalim në energjinë e përtëritshme ka arritur në 386 miliardë euro, dyfishi sa ka qenë më 2017.

Ndonjë parashikim, duke pasur parasysh strategjitë për kalim në energji të ripërtritshme, thonë se kjo vlerë do të dyfishohet në vitet 2030 e trefishohet në dekadën pas kësaj.

Elementet e Rralla Tokësore (REES)

Duke qenë se termi në vetëvete më tepër është politik sesa shkencor, duke variuar nga vendi në vend, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), më 2022, nxori një listë prej 50 mineralesh, nga alumini deri te zirkoni, që “luajnë një rol domethënës në sigurinë, ekonominë, zhvillimin e ripërtritshëm dhe infrastrukturën tonë kombëtare”.

Bashkimi Evropian, të paktën më 2020, ka një listë me 30 minerale të cilësuara si ‘kritike’.

Në anën tjetër, elementet e rralla tokësore që njihen me akronimin REES (Rare earth elements) paraqesin një nëndegëzim prej 17 mineralesh kritike që përdoren për telefona mobilë, makina elektrike, sisteme raketore, elektronika dhe aplikacione të tjera industriale e energjetike.

Te këto 17 elemente të ngjashme kimike përfshihen elemente të lehta të rralla: lanthanumi (La), ceriumi (Ce), praseodymiumi (Pr), neodymiumi (Nd), promethiumi (Pm), samariumi (Sm) dhe europiumi (Eu); kurse te elementet e rënda të rralla përfshihen: gadoliniumi (Gd), terbiumi (Tb), dysprosiumi (Dy), holmium (Ho), erbiumi (Er), thuliumi (Tm), ytterbiumi (Yb) dhe lutetiumi (Lu). Në këtë listë përfshihen edhe dy elemente që asociojnë ngushtësisht me REEs: scandiumi (Sc) dhe Yttriumi (Y).

Sipas një artikulli në Guardian, pavarësisht emrit të tyre, shumica e këtyre elementeve nuk janë kushedi sa të rralla, por ekstraktimi dhe përpunimi i tyre është si për dreq i vështirë, e shpesh me një risk të madh mjedisor.

Miti për Ukrainën e pasur me minerale

Ka vërtetë Ukraina elemente të tilla të rralla?

Sipas të dhënave të Shoqatës së Gjeologëve të Ukrainës, ky vend përmban rreth 5 për qind të burimeve minerale në botë falë gjeologjisë komplekse.

Të dhënat ukrainase thonë se vendi ka depozita të 22 mineraleve, nga 30 sosh sa janë cilësuar kritike nga BE, përfshirë lanthanumin, ceriumin, neodymiumin, erbiumin dhe yttriumin.

Por, fatet e luftës, ku një e pesta e territorit ukrainas është pushtuar prej Rusisë, ka bërë që shumë nga këto rezerva të humbasin.

Një vlerësim i bërë së voni thotë që 40 për qind e resurseve metalurgjike të Ukrainës ndodhen nën pjesën e pushtuar.

Megjithatë, vlerësime më të thelluara thonë se, pavarësisht këtyre shifrave, jo të gjitha pasuritë minerale ukrainase janë të shfrytëzuara, apo të shfrytëzueshme.

Deri më tani, Ukraina nuk figuron te vendet që kanë rezerva elementesh të rralla, që janë kaq të nevojshme për ekrane, drone, turbina me erë dhe motorë elektrikë.

Në vitin 2023, Byroja për Kërkime Gjeologjike dhe Minerare e Francës (BRGM) kishte deklaruar se Ukraina ka “burime të rëndësishme të REE”, porse zhbirimi dhe zhvillimi i mëtejmë i tyre kërkon investime të pallogaritshme.

Disa nga elementet si tantalumi, niobiumi, berylliumi, strontiumi dhe magnetiti, për të cilat mburret qeveria ukrainase, nuk janë në listën e 17 elementeve të rralla.

Këtë e bën jo pak problematike edhe fakti që shumë nga projeksionet me të cilat shërbehen ukrainasit janë vlerësime të kohës sovjetike.

Mu për shkak se përqëndrimi i tyre mund të jetë tepër i ulët apo tepër i vështirë për t’u kërkuar, “depozitat e elementeve të rralla tokësore të Ukrainës mund të mos jenë profitabile për t’u ekstraktuar”.

Një farsë e Zelenskyt?

Por, zëra brenda Ukrainës kanë thënë tash së fundmi se mineralet e rralla mund të jenë veçse një tregim i bukur, si grepç, për të ‘mashtruar’ Trumpin.

Deputeti ukrainas, Artyom Dmitruk, që njihet për qëndrimet e tij kritike ndaj qeverisë së Zelenskyyt, ka vlerësuar se taktika e presidentit ukrainas ka qenë mashtruese.

“Është një çështje me të cilën Zelenskyy sërish ka gënjyer gjithë botën, dhe, në veçanti, Donald Trumpin dhe ekipin e tij”, ka thënë Dmitruk për RT.

“Së pari, të gjitha këto resurse, mineralet e rralla tokësore, tashpërtash gjenden në territoret me luftime active. Së dyti, askush nuk mund ta thotë sa do të jetë çmimi i ekstraktimit të këtyre pasurive”, ka shtuar ai.

“Nëse këto resurse të çmuara mund të miheshin kaq lehtësisht e në aso shkalle sa premtoi Zelensky, dhe po të ishte fitimdhënëse, kompanitë në Ukrainë do të kishin filluar kaherë. Është një tjetër rrenë, një tjetër fares të cilën Zelensky po e shfrytëzon”.

A ka Kosova REEs?

Përgjigjja e parë është ‘Jo’. Në gjendjen e tanishme të kërkimeve, Kosova nuk ka depozita të dëshmuara mineralesh që përmbajnë REEs.

Prani e tillë nuk llogaritet fakti që në disa prej mineraleve që i ka Kosova, si ato pjesë që kanë formime boksiti apo lateriti të nikelit, mund të kenë gjurmë të disa elementeve të lehta të rralla.

Ndryshe nga ç’besohet gjerësisht, Kosova nuk është e para në Ballkan për nga begatitë e saj të nëndheshme minerale.

Kampione në këtë drejtim është Serbia dhe harta e saj tejet e pasur minerale me pasuri bakri e ari (kompleksi i Borit është një nga më të mëdhenjtë në Evropë) dhe lithiumit në luginën e Jadarit.

E dyta në renditje qëndron Bosnja e pasur me thëngill, hekur dhe boksit, ndjekur nga Bullgaria me arë (minierat e pasura të Çelopekut), bakrit dhe thëngillit, si dhe Maqedonisë së Veriut të pasur me plumb e zink (miniera Sasa), bakr dhe ar.

Sipas burimeve zyrtare, rezervat kryesore minerale të nëntokës së Kosovës janë rezervat e linjitit (thëngill i cilësisë së dobët), të vlerësuara në 12.5 miliardë ton; plumb dhe zink 60 milionë ton; nikel 13 milionë ton; boksit 3 milionë ton, etj.

Miti për Kosovën si Mississipi i Evropës

Prej vitit 1999, nëntoka e Kosovës më shumë sesa minerale ka prodhuar mite e ekzagjerime pa mbulesë.

Së jashtmi, propaganda zyrtare e Beogradit, e cituar shpesh edhe nga ndonjë gazetar i huaj, ka shkrehur pandehmën se Kosova iu ‘mor’ Serbisë për shkak se amerikanët ia vunë syrin pasurive të saj të përrallshme.

Ky imazh mitik që Kosovën e bënte njëfare Mississippi u tëhollua në librin Evropa e fshehur: çfarë mund të mësojmë prej evropianëve lindorë’ të gazetarit Francis Tapon.

I shkruar me një stil gazmor e interesant, libri sillet rreth disa prej bestytnive moderne për Kosovën, e njëra prej tyre është se Amerika ia ‘mori’ Kosovën Serbisë për shkak të pasurive të saj përrallore.

“Përkundrazi, për të paktën 150 vjet, Kosova ka qenë një makth ekonomik për cilindo shfrytëzues që ka dashur ta shtjerë në dorë. Tre nga 10 kosovarë jetojnë nën vijën e varfërisë. Sipas CIA-s, GDP-ja për kokë banorë e Kosovës në vitin 2010 ka qenë 6,600 dollarë, që është më e ulët sesa ajo e Angolës apo Turkmenistanit”.

Taponi, në pjesën kushtuar Kosovës, rendit edhe mite të tjera që i prodhon fantazia ballkanike, sidomos atë që pretendon se “Kosova është e pasur në burime si nafta, gazi dhe minierat të cilat duan të shfrytëzohen nga Amerika dhe BE”.

“Vazhdoni dremitjen. Për të paktën 50 vite, prodhimi i naftës dhe gazit natyror në Kosovë ka qenë zero. Edhe pse ka miniera thëngilli, ata nuk mund të shfrytëzohen as për t’i mbajtur dritat ndezur. Edhe ato pak minerale dhe metale që kanë (linjiti është i vetmi i cili është me shumicë) janë vështirë për t’u përdorur për shkak se makineria nuk është përditësuar që nga koha e Titos”, shkruan Tapon.