Investitori nga Shqipëria i rrokaqiejve në Prishtinë dhe rrjeti i tij i biznesit që lidhet me politikanë të njohur në Tiranë

Prishtina po tërheq gjithnjë e më shumë investitorë nga Shqipëria, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, ku zona e njohur si “Prishtina e Re” është shndërruar në një epiqendër të projekteve të mëdha. Së fundmi, kompania “Paluca Group” ka siguruar një leje ndërtimi për dy komplekse të mëdha banimi, një investim që ka kaluar nëpër procedura të gjata në Komunën e Prishtinës, shkruan Demokracia.com.

Mbi një vit iu deshtë kompanisë të sigurojë një leje për dy rrokaqiej në Prishtinë. Hulumtimi tregon se rrjeti i kompanive dhe ortakërive të “Paluca Group” shtrihet përtej Kosovës, duke krijuar lidhje të ndërlikuara biznesore me kompani të tjera në Shqipëri. Këto lidhje shkojnë deri te biznesmenë dhe figura të rëndësishme politike, ku mes tyre është edhe Ilir Meta, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, aktualisht i përballur me akuza për korrupsion.

Demokracia.com ka zbuluar detaje të rëndësishme mbi mënyrën se si u lidhen këto kompani mes vete, përmes ortakërive dhe transfertave të kapitalit.

Kompania “Paluca Group” ka marrë leje për të ndërtuar dy komplekse të larta banimi, pas një pritjeje prej më shumë se një viti për shqyrtimin e dokumentacionit në komunë. Pronari i tokës ku do të ndërtohen këto komplekse është Avni Gashi, në zonën qendrore të “Prishtinës së Re”.

Leja e lëshuar për ndërtim mbulon një sipërfaqe prej 19,956.40 m2 dhe kompania ka paguar taksa komunale në vlerë prej 233,647.46 euro. Sipas dokumentacionit të lejes së ndërtimit, objektet do të kenë katësi 2B+P+11+K në dy ndërtesa.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), “Paluca Group” është regjistruar si shoqëri aksionare në janar të vitit 2022, me dy aksionerë që kontrollojnë nga 50% të aksioneve: Besnik Paluca si drejtor menaxhues dhe Edmir Frani. Aktiviteti kryesor i biznesit është ndërtimi i objekteve banesore dhe komerciale.

Në Shqipëri nuk ka të dhëna për biznese të regjistruara me emrin “Paluca Group”, megjithatë kompania ka faqe të dedikuara në internet dhe Facebook, ku promovon projektet e saj, duke përfshirë disa projekte në Shqipëri dhe ato që planifikon të fillojë në Prishtinë.

Gjithashtu, ekziston një kompani në emër të Besnik Palucës, e quajtur “ALBES INVEST” Sh.p.k, e cila është themeluar në vitin 2021 dhe ka lidhje me kompaninë “Primo Group”.

“ALBES INVEST” kontrollon 50% të aksioneve të “Primo Group”, ndërsa 50% të tjera i kontrollon kompania “E&E Rrjolli” Sh.p.k, me pronarë Edmir Frani dhe Ervis Rrjolli, e cila është hapur në të njëjtën kohë me “ALBES INVEST”.

Bazuar në të dhënat e opencorporates.al, kompania “Primo Group” që është në pronësi të Besnik Paluca posedon në pronësi kompaninë “Primo Invest”, e cila është hapur më datë 15/03/2024. Këtu posedon aksione edhe “ALFAZED” shpk, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar më datë 27/10/1998 që është hapur nga Shefikat Ngjela dhe Niko Ngjela. Por, Shefikat Ngjela, e cila ia ka kaluar 100 për qind aksionet të bijës, blogeres së famshme shqiptare, Ersi Ngjela.