Sindikatat e KEK-ut kundër imponimit të menzave: Nuk lejojmë që paratë e punëtorëve të jepen operatorëve ekonomikë

Sindikata e Re e KEK-ut ka dalë me një vendim të prerë kundër çdo përpjekjeje për t’i detyruar punëtorët të ushqehen në menza të përcaktuara nga menaxhmenti. Kryesia e Sindikatës, në një mbledhje të mbajtur më 21 shkurt 2025, ka deklaruar se nuk do të lejojë që fondet e dedikuara për ushqimin e punëtorëve të menaxhohen pa pëlqimin e tyre, raporton Demokracia.com.

Në vendimin e miratuar nga Sindikata, thuhet se “paratë e punëtorëve janë të destinuara për ushqim të zgjedhshëm dhe nuk mund të transferohen pa vullnetin e tyre te operatorët ekonomikë”.

Sipas sindikatës, punëtorët nuk duhet të detyrohen të ushqehen në menza përmes një skeme të imponuar. “Ne nuk lejojmë që paratë e punëtorëve të jepen operatorëve ekonomikë,” thuhet në vendim.

Po ashtu, Sindikata paralajmëron protesta dhe bojkot në rast se implementohet një model i tillë. “Në rast se ky model imponohet, Sindikata e Re e KEK-ut do të organizojë protestë dhe do ta bojkotojë ushqimin e ofruar nga operatorët ekonomikë,” theksohet në komunikatë.

Ky vendim, sipas Sindikatës, do të hyjë në fuqi nëse implementohet ndonjë skemë që shkel të drejtat e punëtorëve. “Ky vendim mbetet i detyrueshëm për të gjithë anëtarët e Sindikatës së Re të KEK-ut,” përfundon komunikata e firmosur nga Nexhat Llumnica, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut. /Demokracia.com/