Komuna e Prishtinës ka shpallur fituesit e tenderit për projektin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”. Procesi i shpalljes së fituesve u shoqërua me pakënaqësi, pasi kompania “Gjikuria” nga Shqipëria, e cila ofroi çmimin më të ulët, ankimoi rezultatin, kësisoj komuna e pezulloi tenderin deri të shqyrton ankesën, shkruan Demorkacia.com.
Më 14 shkurt 2025, Komuna e Prishtinës nxori rezultatin përfundimtar të vlerësimit të tenderit. Fitues u shpallën kompanitë e grupit NNSH “World Medium”, “Limitporject” shpk, dhe “Rahovica Comerc” shpk, me një ofertë totale prej 5,825,650.83 euro.
Kompania “Gjikuria” e cila ofroi çmimin më të ulët, me 5,500,414.30 euro, u eliminua për shkak të mosplotësimit të kritereve teknike dhe administrative të tenderit.
Po ashtu, në garë ishin edhe “Arda Rei” shpk me një ofertë prej 5,686,105.76 euro, si dhe grupi i kompanive “Shkleqimi 07” dhe “Haxha Kom” shpk me një ofertë prej 5,940,572.63 euro.
Ofertat më të lira janë eliminuar me arsyetiminse nuk kanë përmbushur disa kritere teknike dhe administrative. Pas këtij vendimi, në komunë ka bërë ankesë kompania “Gjikuria”, e cila kishte ofruar çmimin më të ulët.
Në E-Prokurim është publikuar pezullimi i tenderit, duke u konstatuar se ka një ankesë, por përmbajtja e saj nuk është bërë publike.
Pasi u bë e ditur rezultati, komuna pezulloi tenderin për të kryer një rishikim të ankesës së kompanisë “Gjikuria”.
Kompania në konsorcium “Limitproject” shpk është një ndërmarrje që fiton mjaft tenderë nga Ministria e Kulturës, e cila drejtohet nga Hajrulla Çeku.
Në fund të majit 2024, Komuna e Prishtinës hapi tenderin për ndërtimin e nënkalimit për vetura në rrugën “Agim Ramadani”. Vlera e projektit është 6 milionë euro, por tenderi u hap pa u kryer disa vlerësime lidhur me trashëgiminë kulturore, të cilat mund të ndikojnë në realizimin e projektit në atë zonë. Përfundimi i këtij tenderi mbetet ende i paqartë, shkruan Demokracia.com.
Në qershor 2024, janë hapur ofertat për tenderin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”.
Komuna e Prishtinës ka marrë një vendim më 23 shtator 2024, për pezullimin e vlerësimit të ofertave lidhur me aktivitetin e prokurimit për projektin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”. Në dokumentin e publikuar, thuhet: “Pezullohet afati për vlerësimin e ofertave lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull ‘Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani’ me numër të prokurimit 616-24-3786-5-1-1. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit”.
Sipas arsyetimit të dhënë në vendim, ky pezullim vjen pas vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave kundër vendimeve të IKMM dhe QRTK-Prizren, lidhur me procedurat për dhënien e lejeve dhe pëlqimeve nga trashëgimia kulturore. Në dokument thuhet se:
“Kjo çështje duhet të trajtohet si çështje paraprake në raport me vlerësimin e tenderëve nga komisioni vlerësues. Prandaj, pezullohet afati për vlerësimin e ofertave deri në vendimin e IKMM apo ndonjë njoftim të zyrës ligjore në Komunën e Prishtinës lidhur me çështjen në fjalë”.
Megjithatë, pavarësisht se vendimi mban datën 23 shtator 2024, ai është publikuar në platformën elektronike të prokurimit (e-Prokurim) vetëm më 8 janar 2025.
Tenderi është hapur pa përfillur Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe procesi ka mbetur i bllokuar në një lojë ‘ping-pongu’ ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, e cila duhet të lëshojë një leje për intervenime në atë zonë, pasi prek pjesën historike të qytetit.
Mbetet të shihet se si do të përfundojë kjo çështja mes komunës dhe ministrisë, tash kur në ‘lojë’ është kontraktori i rregullt i MKRS-së. /Demokracia.com/