Prokuroria Speciale raportohet se i ka bërë kërkesë Gjykatës për ta urdhëruar Kurtin të dëshmojë për skandalin e rezervave

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që ta urdhërojë kryeministrin Kurti për të shkuar e për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Kështu ka raportuar Kallxo.com.

Sipas këtij raportimi, kërkesa është dorëzuar javën e kaluar, dhe aty kërkohet që Gjykata ta urdhërojë Kurtin për të shkuar e për të dëshmuar.

Nëse Gjykata e pranon kërkesën, Albin Kurti si dëshmitar, duhet të paraqitet për të dëshmua në Prokurorinë Speciale.

Nëse jo, sipas ligjit, Kurtit mund t’i shqiptohet gjobë dhe të burgoset.

Me t’u lëshuar ky urdhër, Kurti duhet të paraqitet vullnetarisht në objektet e PSRK-së, por nëse nuk vepron ashtu siç kërkohet, urdhri i Gjykatës i dorëzohet edhe Policisë, e cila më pas duhet ta ekzekutojë urdhrin për ta sjellë atë për të dhënë dëshminë.

Kallxo.com mëson se në rast se vendoset nga Gjykata për këtë kërkesë, veprimet procedurale do të fillojnë të merren në javën e parë të marsit.

“Kërkesa është dorëzuar javën e kaluar, është dorëzuar si kërkesë Gjykata ish dashtë me lëshu brenda këtyre ditëve. Kërkesa për urdhërimin e dëshmitarit që të paraqitet në prokurori. Nëse nuk paraqitet është mundësia me i shqiptu gjobë e mbas gjobës edhe me u paraburgosë. Albin Kurti duhet me ardhë vetë. Nëse nuk zbaton vendimin e Gjykatës, ai urdhër i ekspedohet edhe Policisë, atëherë Policia e merr dhe e ekzekuton vendimin””, thuhet në raportimin e Kallxo.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit të vendit Albin Kurti.

Kjo për intervistim në cilësinë e dëshmitarit pasi ai nuk iu përgjigj ftesës së parë të dërguar dit më parë.

Ftesën e prokurorisë për kryeministrin e ka konfirmuar për Dukagjinin zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për të cilën ai ka thënë se si kabinet qeverisës i janë përgjigj.

“Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër”, ka thënë Kryeziu.

Kurti deklaroi se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë.

“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, të shohim tash a guxojnë ata të vijnë” – tha Kurti.