Veterani i rrejshëm | Vetëvendosje shpërdan një foto të Kurtit duke dëshmuar se ai nuk ishte ushtar i UÇK-së

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një fotografi nga viti 1998, ku kryeministri Albin Kurti shihet teksa futet në një veturë ndërsa pranë saj qëndrojnë ushtarë të armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aty shihet edhe veprimtari Adem Demaçi, i cili e drejtonte zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së në Prishtinë. Kurti punonte në atë zyrë.

“Përgjithmonë UÇK”, ka shkruar LVV në postimin e saj në Facebook, pa dhënë detaje mbi kontekstin e fotografisë.

Kjo fotografi del të jetë shkrepur në Llapashticë të Podujevës gjatë një prej vizitave që Demaçi ua bënte zonave operative të UÇK-së, e në të cilat e merrte me vete edhe Kurtin.