Gërvalla befason: Sot ne kemi miq dhe aleatë të besueshëm

Në urimin e saj për pavarësinë e vendit, në shtatëmbëdhjetë vjetorin, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se sot vendi ka “miq dhe aleatë të besueshëm”.

“Sot, Republika e Kosovës është shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, i fortë dhe i vendosur. Kemi miq e aleatë të besueshëm, kufij që nuk lëkunden e copëtohen, ushtri që çdo ditë rritet e fuqizohet, polici që mbron çdo cep të këtij dheu”, shkroi Gërvalla në një postim në Facebook.

Postimi i plotë:

Kosovës sonë, ëndrrës së lirisë — Gëzuar 17 vjet shtet, liri, pavarësi e demokraci.

Teksa ecim rrugëve të Prishtinës, zemrat rrahin në ritmin e fitores, flamuri valëvitet si betim i përjetshëm e toka që dikur gëzim nuk pati, sot dridhet nga hapat e krenarisë së ushtrisë e policisë sonë. Nga mëngjesi, Kosova nuk numëron orë — numëron amanete!

Përballë Memorialit të fëmijëve të vrarë e të pagjeturve, heshtja bëhet britmë, gurët dëshmitarë e emrat e tyre plagë që ende pikojnë. E njëjta dhimbje, i njëjti zemërim. I vetmi ‘’faj’’ i tyre ishte se lindën shqiptarë. Britmat e tyre u shuan mes plumbave, duart e vogla u shtrinë kot drejt mëshirës. Ata nuk patën shpëtim përballë bishave që nuk njohin mëshirë.

Sot, Republika e Kosovës është shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, i fortë dhe i vendosur. Kemi miq e aleatë të besueshëm, kufij që nuk lëkunden e copëtohen, ushtri që çdo ditë rritet e fuqizohet, polici që mbron çdo cep të këtij dheu. Kemi një Kosovë që rritet nga zemra e qytetarëve të saj, të cilët nuk njohin frikën, as dhembjen që na ka shtruar historia. Jemi përherë krenarë, përherë ballëlartë!

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Emri yt u pagëzua me sakrificë, u ruajt me gjak dhe sot po jetësohet me nder e krenari!

Rroftë Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike!