
SHARE:
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, fillimisht e shpalli gjendje të jashtëzakonshme për krizën e mbeturinave në kryeqytet. Ky njoftim u dha më 3 shkurt në një konferencë për media dhe u publikua edhe në profilin e tij në Facebook. Por dje, në një tjetër konferencë, Rama e “korrigjoi” veten, duke e quajtur situatën thjesht një gjendje emergjente dhe duke paralajmëruar masa kundër kompanisë rajonale “Pastrimi”, të cilën e akuzoi për sabotazh, shkruan Demokracia.com.
Demokracia.com kishte raportuar më herët se Rama nuk ka kompetencë ligjore për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pasi një vendim i tillë i takon Presidentes së Republikës dhe duhet të mbështetet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) nëse ekziston rreziku i një epidemie. Pas këtij raportimi, Rama ndryshoi statusin e tij në Facebook, duke e zëvendësuar fjalën “jashtëzakonshme” me “emergjente”.
(Statusi i parë i pa korrigjuar)

(Statusi i korrigjuar dje)

Gjithsesi, as Zyra e Presidentes dhe as IKSHPK-ja nuk kanë dhënë përgjigje nëse ndonjë institucion qendror ka marrë në shqyrtim këtë situatë.
Kushtetuta e Kosovës është e qartë: gjendja e jashtëzakonshme shpallet vetëm nga Presidentja kur ka rreziqe për rendin kushtetues ose fatkeqësi natyrore që prekin të gjithë vendin. Kryetari i një komune, sado i shqetësuar për pastërtinë, nuk ka kompetencë të tillë.



Në rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për mbeturinat, duhet theksuar se kjo është një situatë menaxheriale dhe mjedisore, dhe jo një rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare ose rendin kushtetues. Ndërsa menaxhimi i mbeturinave mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe mjedisin, ai nuk përbën një rrezik të tillë që përputhet me kërkesat për shpalljen e një gjendjeje të jashtëzakonshme sipas Kushtetutës.
Por Demokracia.com, më 6 shkurt, ka kërkuar qasje në raportin e ekipit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, i cili sipas Ramës kishte konstatuar një situatë alarmante. Komuna ka lejuar qasjen dhe më 10 shkurt ka dërguar raportin në adresë të redaksisë. Në raport nuk përshkruhet asnjë kërcënim epidemiologjik i drejtpërdrejtë, por theksohen probleme menaxheriale dhe vonesa në kontraktimin e një operatori të ri për pastrimin e qytetit.
Nga ana tjetër, nga ueb-faqja e “Kryeqyteti Prishtina” është larguar edhe komunikata e djeshme, e cila akuzonte kompaninë “Pastrimi” për sabotazh. /Demokracia.com/

