Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se është duke bashkëpunuar me prokurorinë në hetimin që do të zhvillohet për rënien e faqes në ditën e zgjedhjeve.
Në një njoftim për media thuhet se kanë kërkuar që të sqarohet situata e shkaktuar.
“Nisur nga fakti që të dielën në mbrëmje kishte probleme të mosfunksionimit të platformës për rezultatet preliminare, KQZ i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për mbështetje teknike”.
“KQZ është vënë në dispozicion për bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë dhe po punon që të përfundojë numërimi dhe adresimi i çështjeve teknike të mosfunksionimit”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, shtohet se lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes, që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi: “KQZ njofton se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet me kohë”. /Klankosova.tv