Anulohet seanca gjyqësore ndaj Albulena Haxhiut dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar për anulimin e seancës gjyqësorë ndaj ish ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiut, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kadaj Bujupi, pasi që Departamenti për Krime të Rënda ku ka qenë duke u gjykuar çështja ka shpallur veten jokompetente duke e procedura lëndë për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për çështje penale të kësaj gjykate.

“Trupi Gjykues në këtë çështje penale ndaj të akuzuares A.H. etj, ka vendosur që Departamenti për Krime të Rënda të shpallet inkompetent në pikëpamje lëndore dhe lëndën ta kalojë në kompetencë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për çështje penale, të kësaj gjykate. Meqenëse gjykata ka vendosur që Departamenti për Krime të Rënda të shpallet inkompetent, seanca e shqyrtimit gjyqësor e paraparë me datë 10.02.2025, në ora 13:15, është anuluar”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Ndryshe seanca e datës 21 nëntor 2025 kishte dështuar në mungesë të akuzuarve, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi