I emëruari i presidentit të ShBA-së Donald Trump për Misione Speciale, Richard Grenell, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se Administratat e dy presidentëve të mëparshëm Barack Obama dhe Joe Biden, e kanë vendosur Kosovën në pozitë të disfavorshme karshi Serbisë.
Grenell në një postim në platformën X ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje përgjatë katër vjetëve në pushtet e ka lavdëruar presidentin Biden, drejtues të saj kanë marrë pjesë në Konventa dhe takime të tij. Ai ka pyetur se përse asnjëherë më parë nuk janë ankuar?
“Ata kaluan 4 vjetët e fundit duke komplimentuar Joe Biden dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”, ka shkruar Grenell.
Glauk Konjufca në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, RTK para pak ditësh ka deklaruar se Kosova si pasojë e administratave Obama e Biden është gjendur në pozita të disfavorshme ndaj Serbisë.
Kryeminsitri Albin Kurti më 2020-ën kishte dalë hapur në përkrahje të Joe Biden para zgjedhjeve në SHBA dhe në zgjedhjet e fundit kishte marrë pjesë edhe në Konventën e Demokratëve, pak para se Biden të tërhiqej nga gara për president e t’ia lëshonte vendin e tij Kamala Harris
