Kundërshtimi termocentralit: Kurti e luftoi Kosovën e Re, e dëmtoi vendin

Reduktimet e rrymës ishin të shpeshta në ditët e para të fushatës zgjedhore, ku Albin Kurti me vartësit e tij po krenohen para qytetarëve se ua kanë përmirësuar jetesën.

Madje, në njërin nga takimet kushtuar situatës së krijuar, njëri nga përfaqësuesit e institucionet përgjegjëse, e la në faj edhe siç tha zhvillimin e hovshëm ekonomik, raporton Klan Kosova.

Por, është pikërisht njeriu që e qeverisi me Kosovën dhe partia e tij, ata që e lanë vendin pa termocentralin e tretë, i cili tashmë do të ishte duke prodhuar rrymë.

7 vjet më parë mori formë nisma për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, në vendin që ka dy elektrana të vjetra të ngritura midis viteve 60-80 të shekullit 20.

Për ta ndërtuar atë, në dhjetor 2017, u përzgjodh kompania amerikane, “Contourl Global”.

Uzina do të kishte kapacitet 500 megavatësh, ndërsa Kosovës do t’i kushtonte 1.3 miliard euro.

Sipas drejtorit të “Contour Global”, Joseph Brandt, projekti do ishte i teknologjisë më të përparuar.

Por, ndërtimi i “Kosovës së Re” nuk nisi më 2018 siç ishte paraparë. Në vend të saj bëheshin kritika.

“Kontrata e Contour Global është fitim për ata, ‘Globalin’, e humnerë për neve lokalin. Deputetët e Kuvendit duhet të japin ndihmë duke mos e votuar kurdo që marrëveshja vjen në Kuvend”, thoshte Kurti më 25 janar, 2018.

Në kësi rrethana, kompania amerikane njoftoi se nuk do ta realizojë fare projektin. Dhe këtë e lidhi me rënien e Haradinajt e ngritjen e Kurtit në pushtet.

Më 24 maj 2020, kjo kompani kërkoi dëmshpërblimin prej 20 milionësh. Dhe atë e fitoi pa përfunduar viti, në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kësisoj, pikërisht në kohën kur ishte paraparë që të përfundonte ndërtimi i “Kosovës së re”, Qeveria Kurti në korrikun e 2024-ës vendosi ta paguante dëmshpërblimin prej 21 milionësh.

Me termocentralin e ri, ishte caktuar që çmimi tavan për megavat të ishte 80 euro. Kurse vetëm gjatë periudhës 4-vjeçare të qeverisë Kurti është importuar rrymë afër 600 milionë euro, e vendi është përballur me reduktime.