AIP me kërkesë ndaj partive politike: Të mbrohen të dhënat personale të qytetarëve gjatë fushatës

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike  mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore.

AIP thekson në një njoftim për media se “në  mbikëqyrje të zbatimit të ligjit, përkatësisht mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, në vitet e fundit ka pranuar ankesa të adresuara nga qytetarët ndaj partive politike për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në mënyrë të paautorizuar, duke aplikuar marketingun e drejtpërdrejtë, të cilat raste, janë trajtuar përkitazi me ligjin.

“Për të siguruar zbatimin e ligjit, për mbrojtjen e të dhënave personale dhe njëkohësisht për të shmangur çdo veprim të Agjencisë kundrejt Partive Politike dhe subjekteve të përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon nga Partitë Politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos ekspozuar të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak”.

“Agjencia ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bën thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore, të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet tutje në njoftim, transmeton Klankosova.tv.