Anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) kanë thirrur mbledhje urgjente për ditën e sotme.
Në mesin e pikave të rendit të ditës do të jetë shkarkimi i drejtorit të KPM-së, Jeton Mehmetaj dhe nënkryetarit Fatih Basha.
Flutura Kusari, juriste e mediave, ka alarmuar rreth arsyes së thirrjes së këtij takimi duke thënë se qëllimi i kërkesës për shkarkim të drejtuesve të KPM-së është “proces i motivuar politikisht dhe i kundërligjshëm” dhe se “qëllimi është me i uzurpu pozitat”.
“Sipas votave që i kanë, kryetari dhe nënkryetari do ta zgjedhin veten dhe do të jenë udhëheqesit më jolegjitim të historisë së KPM-së. Sigurisht që ky vendim do të atakohet menjëherë në gjykatë”.
“Në agjendën e takimit, shkarkimi nuk figuron si pikë e rendit sepse do të ndodhë si propozim për pikë shtesë.Unë du me besu që zyra ekzekutive e KPM-së do ta ndalojë këtë procedurë të jashtligjshme dhe do ta kundërshtojë haptazi sot”.
Kusari mes tjerash tha se ky zhvillim do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në rënien e mëtutjeshme të lirisë së mediave dhe do të shënohet në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare.
“I lus mediat që të përcjellin mbledhjen në mënyrë që ta dokumentojmë këtë shkarkim politik. Kryetari dhe nënkryetari duhet të zgjedhen pasi të plotësohet komisioni me anëtarë të rinjë”, shtoi ajo.
Thirrja e këtij takimi dhe tendenca e Vetëvendosjes për ta kapur KPM-në tashmë ka nxitur reagime të ashpra edhe në mesin e komunitetit të gazetarëve.
Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë në një postim në Facebook se ky është alarm për shoqërinë.
“Kosova vjet ka rënë për 19 vende në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, nga vendi i 56 në atë 75 në botë. Kjo ishte rënia më e rëndë që ka pasur vendi ynë. Nëse ndodh kapja partiake edhe e KPM-së, duket se sigurt do të rrëshqasim krejt dhe drejt pusit! Çfarë zhgënjimi për gjeneratën që ka luftuar për liri dhe drejtësi!Ky është vërtetë alarm për shoqërinë!”, shkruan Kelmendi.
Nga ana tjetër, gazetari Vehbi Kajtazi tha se pushteti po i gjuan shkelmat e fundit në luftën me media.
“ Mes djallëzive të shumta po planifikon ta shkarkojë kryetarin e Komisiont të Pavarur për Media, Jeton Mehmetin, ndonëse atij për pak ditë i përfundon mandati. Këtë plan djallëzor po e bën me qëllim që pozita e kryetarit dhe nënkryetarit të kapen nga militantë partiak në kohën kur vendi është në zgjedhje”.
Një reagim i ashpër erdhi edhe nga gazetari Parim Olluri nga Insajderi.
“Po dojnë me shkarku Jeton Mehmetin nga pozita e kryetarit në KPM. Me emëru dikend tjeter në kohë të fushatës zgjedhore që me i gjobitë rend mediat. A e dini se çfarë arsyetimi po përdorin? Ceremonia e daljes në objekt të ri s’mundet me u zhvillu pa kryetar të ri. Shume argument i fortë. Guri. Hahahha. Qiky pushtet i ka lënë nja 400-500 pozita me ushtrues detyre. Ama vec dalja në objekt të ri të KPM’se nuk ban pa kryetar të ri”.
