Prokuroria tha se nuk lëshoi autorizim për bastisjet, Policia: Të gjitha veprimet në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente

Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për aksionin që zhvilloi sot në mëngjes për mbylljen e komunave paralele, ku ka thënë se kërkesën për këtë aksion e ka bërë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me qëllim “ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligshme të këtyre insticioneve”, shkruan Reporteri.net.

Pavarësisht se Prokuroria deklaroi sot se nuk ka lëshuar autorizim për bastisjet e kryera, Policia ka thënë se të gjitha veprimet janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente.

“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në reagim.

Sipas Policisë, objektet që u mbyllën ishin të jashtëligjshme dhe vepronin si komuna, posta, banka, të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme kundër rendit kushtetues dhe ligjeve të Kosovës.

Prokuroria Themelore e Prishtinës deklaroi sot se bastisjet janë kryer pa autorizimin e saj.

Në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria thuhet se organi i ndjekës nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve në këto lokacione meqë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim nga institucionet dhe se nuk u është ofruar kurrfarë prove për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale.

“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka thënë se veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.

“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Express.

Ky zëdhënës i Ambasadës Amerikane tutje ka thënë se këto veprime janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.

“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”.