Ofertë zgjedhore veten.
Ka muaj që partitë tjera opozitare kanë dhënë edhe në formë të shkruar planprogramet e tyre zgjedhore – me projekte të detajuara që synojnë t’i jetësojnë në eventualitetin e ardhjes në pushtet – përveç Vetëvendosjes.
Këta të fundit, deri më tash, kanë ofruar veten si ofertë zgjedhore me një sllogan grandioz të frazuar si ‘cep më cep’ – kondensim ky i kuptimit të poltikbërjes së tyre të asaj që këto vite është dhënë si sovranitet-me-çdo-kusht.
Me hapjen e fushatës zgjedhore në Gjakovë – Lëvizja Vetëvendosje shkroi në ‘Facebook’ se aty ata paraqitën “projektin për katërvjeçarin e ardhshëm”: çka u la të kuptojnë se veçse vetja e tyre është ‘projekti i katër vjeçarit të ardhshëm’.
Në Mitrovicë, ndërkaq, u pa një shkarkim i madh diskursiv që përkthehej në denoncime të qeverive të kaluara për “tradhtarë kombëtarë” dhe “hajna” – program zgjedhor jo.
“Vetëvendosja…po e pamundëson edhe politikën”.
Kështu na tha në një përgjigje me shkrim drejtori i Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, pyetur rreth Vetëvendosjes në të mos pasurit program zgjedhor.
“Dita e 3’të e fushatës sot dhe partia në pushtet ende nuk ka shpalosur një program elektoral. Pra, deri tash çfarë këmi dëgjuar janë kërkesat që i kanë për një numër fiks të votave, dhe piskama për atë se sa keq ka qenë e kaluara”, tha Ymeri për Nacionale.
Kërkesën e Vetëvendosjes për thjesht “na jepni 500 mijë vota”, Ymeri e përkthen në atë se Albin Kurti qytetarin “e sheh veç si numër vote, e jo si subjekt me të cilin komunikon dhe deliberon politikisht”.
“Por, problem është më i thellë se kaq”, thotë Ymeri, një nga figurat e para të Vetëvendosjes qysh në zanafillën e vet, si dhe ish-kryetar i kësaj partie.
“VV kështu jo vetëm që po e cenon demokracinë duke marrë të gjitha masat e mundshme për të diskutuar programatikisht e ideologjikisht (ikja nga debatet, mos paraqitja e programit, fjalimet çirrëse që kërkojnë konflikt në shoqëri, etj), por po e pamundëson edhe politikën”, tha Ymeri.
Filozofi Afrim Kasolli, si dhe ish-deputet i kësaj partie, e vështron pikësëpari një megallomani singullare të Albin Kurtit; paramendimin e këtij të fundit se është i vetëmjaftueshëm sa që beson se me prezencën e tij të kulluar e bën të panevojshëm programin.
“Mund të jenë disa arsyeje se pse partia në pushtet hynë në këtë proces zgjedhor pa asnjë program zgjedhor. E para sepse kryeministri Kurti për shkak të besimit të tepruar që ka në forcën e tij lideriste, kalkulon se nuk ka nevojë për asgjë tjetër, pos prezencës së tij politike, për t’i mobilizuar qytetarët rreth ‘karizmës’ së tij”, tha Kasolli për Nacionale.
Së dyti, Kasolli lexon në mendësinë e farkëtimin të ideve për ‘komplote’ ndaj tij që Kurti i artikulon karshi audiencës së vet: dhe se në fakt, ai ka planprogram por që i është pamundësuar jetësimi i tij si pasojë “regjimit të vjetër”.
“E dyta se ai tashmë e ka programin, por që për shkak të ‘komplotit’ politik nga forcat e errëta të ish ‘regjimit të vjetër’, që janë të shtrira nëpër kapilarët e sistemit nuk ka arritur ta zbatojë atë, (në këtë drejtim vlenë të ceken kryesisht, sulmet e pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë), prandaj edhe i duhet një mbështetje më e madhe qytetare, për ta bërë atë real”, tha Afrim Kasolli.
“Dhe e treta, nuk duhet harruar faktin se kohë më parë ishte vetë Albin Kurti, që kishte deklaruar se mbi gjysma e qytetarëve të Kosovës janë ‘analfabetë funksional’, dhe se mbështetja e tyre mund të bëhet kryesisht mbi bazën e thashethemnajës, propagandës dhe etiketimeve. Kështu, në këtë në këto zgjedhje ka vendosur ta radikalizojë deri në ekstrem këtë vlerësim shpërfillës ndaj atyre që pretendon ta sigurojë fuqinë politike”, përfundoi Kasolli.
Ymeri në atë që e quan se Vetëvendosja në këtë trakë angazhimi të vet konfrontues “po e pamundëson politikën” na thotë se “diskutimi politik përveç se informues është edhe emancipues”.
“Politikën si sferë të përplasjees së ideve e vizioneve për të ardhmen, përplasje këto që e nxisin dhe garantojnë mendimit politik te qytetarët të cilët përballen me qasje të ndryshme e informuese për atë se si dhe kah do të duhej të zhvillohej shteti e shoqëria”, tha ai.
“Diskutimi politik përveç se informues është edhe emancipues. Ndërkohë që Kurti dhe VV po e kundershtojnë këtë zëshëm duke kërkuar që qytetarët të mos degjojnë argumente të tjerëve (shih ti!), të bojkotojnë media, të mos informohen dhe të mos mendojnë”, përfundoi Visar Ymeri për Nacionale.
