Përveç premtimeve që partitë politike do të bëjnë gjatë fushatës zgjedhore, qytetarët duhet të kërkojnë sqarime se si dhe kur planifikojnë t’i realizojnë ato. Njohësit e çështjeve politike, në këtë artikull për Albanian Post, theksojnë se qytetarët duhet të fokusohen në kërkesat konkrete ndaj partive politike. Sipas tyre, këto zgjedhje u ofrojnë votuesve mundësinë të gjykojnë jo vetëm qeverisjen aktuale, por edhe ato të kaluarat.
Partitë politike kanë nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore këtë të shtunë, më 11 janar, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, dhe përballjet mes subjekteve politike do të synojnë të fitojnë votën e qytetarit.
Meqë tashmë fillon një periudhë intensive premtimesh, debatesh dhe angazhimesh nga partitë politike, të cilat do të tentojnë të fitojnë mbështetje përmes programeve dhe platformave të tyre, njohësit e çështjeve politike kërkojnë që qytetarët të kenë kërkesa të qarta ndaj partive.
Papunësia, ekonomia, shëndetësia dhe arsimi janë vetëm disa nga çështjet kryesore që qytetarët duhet të adresojnë, duke kërkuar informacione për sigurimin e një të ardhmeje më të mirë.
“Si do të bëhet?” dhe “Kur do të bëhet?” janë dy pyetjet, për të cilat qytetarët duhet të kërkojnë përgjigje nga secili subjekt politik, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e duhur.
Ish-zëvendësministrja në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe njohësja e çështjeve politike, Magbule Shkodra, gjatë një bisede për Albanian Post, thotë se kjo është periudha kur qytetarët duhet të shikojnë me vëmendje atë se çfarë po shpalosin partitë politike.
“Njëkohësisht t’u bëjnë pyetje liderëve se si janë të realizueshme, sepse po dëgjojmë premtime për rroga më të larta, pensione më të mëdha, por asnjëherë nuk kemi dëgjuar një plan veprimi, një plan aksioni se si do të realizohet, ku do të merren paratë. Këto janë pyetjet që qytetarët duhet t’i bëjnë atyre që shpalosin programet dhe sa do të jetë afati kohor brenda të cilit do të përfundojë realizimi i këtyre premtimeve”, deklaron Shkodra për AP.
Ajo sugjeron që qytetarët të shikojnë jetën e tyre dhe përmirësimet që janë bërë gjatë pushtetit aktual.
“Do t’i ftoja qytetarët që të vlerësojnë nëse jeta e tyre është përmirësuar, dhe në bazë të kësaj të vendosin se kë do ta votojnë. Partitë opozitare kanë shpalosur mjaft programe, ndërkohë që çdo mbrëmje po shohim përfaqësues të partisë në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – por akoma nuk kemi parë diçka konkrete nga ata”.
Sipas saj, nëse në të kaluarën ka pasur hezitim për t’u bërë pyetje politikanëve, tani s’duhet të ketë.
“Ne jemi një demokraci e brishtë dhe e re, ndoshta edhe në të kaluarën nuk kemi qenë të përgatitur për të pyetur me saktësi, pasi kemi dëgjuar gjithmonë në të kaluarën se Kosova mund të bëhet si Zvicra, por nuk është bërë. Kjo është diçka që vazhdon në këto fushata, prandaj është koha që edhe ne të dimë dhe të bëjmë pyetje politikanëve se si dhe kur do t’i realizojnë premtimet e tyre”.
Në anën tjetër, analisti politik, Albinot Maloku, thotë se qeverisja e kryeministrit Albin Kurti pati më shumë shkelje kushtetuese.
Prandaj, qytetarët nuk duhet të pranojnë veprime të ngjashme përsëri.
“Meqë mbaroj punën dhe angazhimin e saj legjislatura e tetë e Republikës, e cila ka pasur më së shumti shkelje kushtetuese, e cila pati edhe rastin dhe fuqinë të dëshmonte meritokracinë, dijen dhe mundësinë, pritjet e votuesve janë që praktika të tilla të mos kenë më vend në Kosovë”, thotë Maloku për AP.
Të gjitha subjektet politike të cilat garajonë për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës, deri tani pothuajse secila e ka pasur nga një mandat.
Prandaj, sipas Malokut, votuesi do të ketë mundësinë të gjykojë jo vetëm këtë qeverisje, por edhe ato të kaluarat.
“Fatmirësisht, tani nuk ka asnjë subjekt politik që nuk është provuar për premtimet dhe veprimet e tij, kështu që votuesi ka më shumë mundësi të gjykojë, duke krahasuar jo vetëm legjislaturat dhe qeveritë, por edhe legjislaturën dhe qeverinë aktuale, veçanërisht për atë çfarë kanë premtuar dhe çfarë kanë realizuar”.
Ai thotë se Kosova aktualisht ka nevojë për një rregullimin e një sërë çështjeve.
“Kosova nuk ka nevojë më urgjente se sa për një instalim të plotë të meritokracisë dhe për vlerat e fjalës së thënë. Ekonomia, përveç një vizioni të qartë nga udhëheqësit, varet edhe nga faktorë të tjerë. Po ashtu, diplomacia është një fushë që veç urtësisë politike, kërkon edhe profesionalizëm të lartë. Interesat e qytetarëve janë të ndryshme dhe kështu edhe pritjet, por vazhdimi i mungesës së meritokracisë dhe mbajtja e nepotizmit politik e familjar të atyre që mbajnë pushtetin janë goditje të besimit ndaj mundësisë për ndryshim të vërtetë dhe të domosdoshëm”.

E para që do të hapë fushatën zgjedhore do të jetë Partia Demokratike e Kosovës nga ora 16:30, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka njoftuar se do ta hapë fushatën e saj zyrtare në Pallatin e Rinisë nga ora 17:00, kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku është thënë se do të prezantojë 110 kandidatët për deputet.
Për dallim nga dy partitë opozitare, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, do ta hapë fushatën në Komunën e Gjakovës, në orën 18:00, në sallën “Shani Nushi”.
Kurse, koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma, akoma s’ka bërë të ditur informacione lidhur me hapjen e fushatës zgjedhore zyrtare.
“Cep më Cep” është slogani i Lëvizjes Vetëvendosje, “Direkt në NATO, plani aksional i anëtarësimit siguri-ekonomi” është slogani i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), “Kosova mundet më mirë” është slogani i PDK-së, ndërsa “Lumir 2025, bëhu ndryshimi” është slogani i LDK-së.
