Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti thënë se Kurti po tregon karakterin e tij totalitar duke bojkotuar debatet në studiot televizive.
Molliqaj potencoi arsyetimet e Kurtit janë të kota, pasi i njëjti në kohën sa ishte në opozitë zgjidhte të dilte në çdo studio televizive.
VV siç duket paska marrë vendimin e pritur. Vendim që e konfirmon karakterin totalitar të kësaj partie. Kryeministri dhe partia nuk dalin në emisione debatuese. Arsyeja: mediat qenkan të oligarkëve. Kjo parti dhe ky kryeministër merren me politikë nga viti 2005. Që nga daljet e para në publik, deri tek koha kur erdhi në krye të qeverisë vetë Albin Kurti ka banuar e ka vegjetuar në të njëjtat media që tash po i bojkoton. Që në fakt po iu ikë.
Interesant, Kurti i përmend oligarkët sa herë do ta ndalojë ndonjë televizion. Por nuk i përmend ata për çfarë duhet përmendur: të tillët paguajnë tatim në fitim vetëm 10%, sa një biznes me 3 punëtorë, njëjtë sikur në kohën e qeverisjeve neoliberale. Të njëjtët nuk paguajnë fare taksë në dividendë, prapë njëjtë sikur në qeverisjet neoliberale. Sa herë që Kurti bërtet oligarkët, çfarë ka në mendje nuk është barazia, por autokracia. Sepse dhimbjen e ka te kritika që nuk e duron dot.