Mungesa e hapave drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është konsideruar çështja më sfiduese në Ballkanin Perëndimor, krahas situatës gjithnjë e më të paqëndrueshme në Bosnjë e Hercegovinë.
Në raportin e fundit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ngjarjet në veri të Kosovës janë vlerësuar kambanë alarmi për bashkësinë e organizuar ndërkombëtare, duke theksuar seriozitetin e sfidave të sigurisë në rajonin e Ballkanin Perëndimor, posaçërisht sa i përket marrëdhënieve të tensionuara midis Kosovës dhe Serbisë.
Në raportin “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s” për vitin 2024, autor i së cilit është lordi britanik, Mark Lancaster, mungesa e hapave konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konsideruar çështja më sfiduese e rajonit, krahas situatës në Bosnjë e Hercegovinë.
“Në rajonin ku pothuajse të gjitha shtetet dhe territoret janë në kërkim të një të ardhmeje euroatlantike, çështjet e pazgjidhura si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë e Hercegovinë duhet të ripërqendrojnë vëmendjen e rëndësishme të aleatëve: aleatët duhet të pajtohen me potencialin për destabilizim më të gjerë që paraqesin këto sfida”.
Në thelb të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi janë dy çështje kryesore, në bazë të dokumentit: mosnjohja e Kosovës nga Serbia, krahas fushatës aktive ndërkombëtare kundër shtetësisë së Kosovës, dhe kursi i Qeverisë së Kosovës në katër komunat në pjesën veriore të territorit kosovar, të banuara kryesisht me serbë etnikë.
“Mosnjohja nga Serbia – dhe fushata aktive ndërkombëtare kundër njohjes – së shtetësisë së Kosovës si dhe mënyrat dhe mjetet e integrimit të popullsisë minoritare serbe të Kosovës – veçanërisht në katër komunat veriore në kufi me Serbinë, ku serbët përbëjnë mbi 90% të popullsisë”, ka vlerësuar lordi Lancaster në raportin e fundvitit.
Gjithashtu, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës, sikurse ndalimi i përdorimit të dinarit serb dhe mbyllja e zyrave bankare e postare, janë kritikuar dhe kanë nxitur sanksione dhe masa kufizuese nga partnerët perëndimorë, ka kujtuar Lancaster, duke krijuar një gjendje paralize me një potencial të lartë për t’u shndërruar në dhunë.
Në raport janë përmedur edhe dorëheqjet masive të serbëve nga institucionet e Kosovës, duke prekur posaçërisht fushën e sigurisë, dhe përpjekjet e autoriteteve kosovare “për të shfrytëzuar situatën që të konsolidojë kontrollin e saj mbi komunat veriore”, të cilat, sipas raportit, kanë të ngjarë që të mbjellin më shumë përçarje.
Në fund të raportit janë dhënë disa rekomandime për të zgjidhur problemet. “Para së gjithash, aleatët e NATO-s, BE-ja dhe partnerët e tyre duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion të duhur ndaj Beogradit dhe Prishtinës për të zhbllokuar dialogun dhe për të gjetur një rrugë përpara për normalizimin e marrëdhënieve midis të dyjave”.
Ndryshe, nga Kosova është kërkuar që të bëjë hapa drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kurse nga Serbia të ndalojë fushatën kundër njohjes së shtetësisë së Kosovës. E për të adresuar rreziqet potenciale, raporti ka rekomanduar që NATO-ja të konsiderojë shtimin e trupave në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.
