Gishta të amputuar e invaliditet – Viti i Ri nuk sjell vetëm gëzim

Festat e fundvitit janë në mesin e festave që sjellin gëzime e mbushin shtëpitë plot.

Por, jo gjithmonë kanë një përfundim të mirë. Entuziazmi për të festuar edhe me armë e mjete piroteknike, ka sjell edhe hidhërim nëpër familje.

Nuk janë të pakta rastet që në natën e Vitit të Ri, spitalet në të gjithë territorin e Kosovës janë mbushur me njerëz të lënduar e të plagosur.

Vetëm në ditën e fundit të vitit 2023, sipas drejtorit të Emergjencës në Prishtinë, Naser Sylës, u paraqitën 24 të lënduar, dy nga armët e zjarrit e 22 të tjerë nga mjetet piroteknike.

Shumica e tyre përfunduan me gishta të amputuar.

Por, edhe ditëve të fundit të 2024-ës pati kësi lloj incidentesh, e për fat të keq, pësuan dhe fëmijët.

“13 raste kanë qenë nga e 22 dhjetori deri më 26 dhjetor. Shumica fëmijë. Natën e Vitit të Ri 2024, kanë qenë 22 raste me mjete piroteknike, e dy të tjerë me armë zjarri. Shumë prej tyre përfunduan me gishta të amputuar dhe me invaliditet të shkallëve të ndryshme”, tha Syla për Klankosova.tv.