Artan Behrami, kandidat për deputet nga PDK ka komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti se për shkak të shumë formularëve që duhet plotësuar, nuk ka shkuar për t’i vizituar të paraburgosurit nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas tij, po del që Edi Rama është në gjendje të bëjë më shumë se Kurti për ta mbrojtur luftën e UÇK-së.
“Për dallim nga Kurti, Rama nuk ka përtuar t’i plotësojë formularët e vizitës në Hagë. Sikur Rama, nuk kanë përtuar as disa ish-kryeministra, ish-presidentë dhe diplomatë të huaj. Kurti paska përtuar”, ka shkruar Behrami.
Madje, ai është paraqitur vullnetar për t’ia plotësuar formularët Kurtit, në mënyrë që ai të shkojë në Hagë.
“Po paraqitem vullnetar për t’ia plotësuar formularin për vizitë më 17 shkurt 2025 në Hagë, sepse as një formular nuk di ta mbush ky, siç nuk diti ta bëj një punë të hairit plot 4 vjet.
Mbase mëson pak më shumë edhe për shtetin që i ka rastis ta qeverisë për shkak që themeluesi i tij po mbahet në Hagë.
Por, më 17 shkurt mund të shkojë vetëm si kryeministër në detyrë, sepse më 9 shkurt do ta marrë ndëshkimin e qytetarëve edhe për arrogancën dhe idiotizmin e tij!”, ka shkruar ai në Facebook.