Ndërkohë që lufta në Ukrainë hyri në vitin e katërt, 6.8 milionë ukrainas vazhdojnë të jetojnë si refugjatë. Studiuesit thonë se më pak se gjysma planifikojnë të kthehen pas përfundimit të luftës.
Galyna Grahno u largua nga qyteti me familjen e saj në fillim të sulmit të gjerë të Rusisë, në vitin e parë të luftës.
Tani, ajo thotë se nuk ka ku të kthehet.
“Në tetor të vitit 2022, pashë një video-regjistrim në internet nga qyteti dhe njoha apartamentin tim. Këndi i dhomës së vajzës time ende po qëndronte. Edhe tryeza po qëndronte ende, një ekran mbi tavolinë, por çdo gjë tjetër ishte shkatërruar”, thotë ajo.
Ky është viti i tretë që kur Grahno po jeton me familjen e saj në Poloni. Ajo thotë se ka pak gjasa që të kthehet në Ukrainë.
“E flas më mirë gjuhën polake – kalova provimin për nivelin B1 dhe mora kurse të kontabilitetit në gjuhën polake. Vajza ime filloi studimet universitare. Andaj, ka shumë mundësi që të qëndrojmë këtu”, thotë ajo.
Shumica e ukrainasve që ikën nga lufta ndajnë pikëpamjet e zonjës Grahno, thotë Hlib Vyshlinsky, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Strategji Ekonomike, një organizatë joqeveritare që merret me hulumtime në Kiev.
“Sipas një ankete që bëmë në fund të vitit 2022 mbi 50 për qind e refugjatëve ukrainas synonin të ktheheshin. Tani, kjo shifër ka zbritur në afro 20 për qind”, thotë ai.
Mungesa e sigurisë është njëri prej faktorëve kryesorë, thotë Vyshlinsky.
Margaryta Sytnyk bashkëthemeluese e grupit ‘Holka’ thotë se vështirësi të tjera për t’u kthyer janë mungesa e vendeve të punës dhe banimit.
“A do të ekzistojë infrastruktura, shkolla, apo e ardhmja për fëmijët – këta janë faktorët kyç në vendimin për t’u kthyer, apo për të qëndruar në një vend të dytë”, thotë ajo.
Sytnyk jeton dhe punon në Poloni në shtatë vitet e fundit. Por kur filloi lufta, ajo vendosi të kthehej në Ukrainë.
“Si njeri që ka përvojën e imigrantit, i kuptoj shqetësimet dhe vuajtjet e tyre”, thotë ajo.
Sipas Qendrës për Strategji Ekonomike, 80 për qind e refugjatëve ukrainas janë duke bërë punë që kërkojnë më pak kualifikime se ato që kanë ata.
Eksperti për politikat e migrimit, Andrii Gaidutski beson se shumë nga refugjatët ukrainas në mënyrë të natyrshme nuk duan të humbasin statusin e tyre dhe do të zgjedhin të kthehen në momentin kur vendoset paqja dhe kur kushtet të jenë të favorshme – çështje për të cilën duhet të përkujdeset qeveria e Ukrainës.
“Shteti duhet të krijojë kushtet për zhvillimin e biznesit këtu. Një punëdhënës do të punësojë një refugjat ukrainas i cili është kthyer, duke i dhënë atij mundësinë që të punojë këtu dhe të fitojë mjaft për të paguar qiranë e shtëpisë”, thotë ai.
Mbetet po aq e paqartë nëse ata që janë detyruar të qëndrojnë në Ukrainë gjatë luftës do të mbesin atje pas përfundimit të luftës.
“Sipas anketës, pasi të hapen kufijtë, rreth 20 për qind e ukrainasve mund të largohen. Mbetet për t’u parë se nën çfarë kushtesh ukrainasit që kanë përjetuar luftën, do të vazhdonin të jetonin këtu”, thotë Sytnyk, raporton VOA.
Kombet e Bashkuara thonë se tani janë rreth 7 milionë refugjatë ukrainas në botë – gati një e gjashta e popullsisë së para luftës të Ukrainës.