21-vjeçari vdes në një aksident të rëndë në Klinë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Klinë, ku si pasojë e një aksidenti të rëndë, një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i lënduar. Lajmi tashmë është konfirmuar nga Policia, ndërsa janë zbardhur edhe detaje të tjera në lidhje me rastin, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se viktima e këtij aksidenti është 21-vjeçari, Arianit Gashi, nga fshati Përqevë i Klinës.

Ndërkaq, personi i lënduar është 19-vjeçari, E.Gashi, i cili ishte pasagjer në veturën e vetaksidentuar.

Sipas informacioneve zyrtare, mëngjesin e sotëm, 19-vjeçari i cili ka mbetur i lënduar, është paraqitur në QMF-në në Volljagë të Klinës, për të pranuar ndihmë mjekësore.

Ndërkaq, mjeku kujdestar e ka njoftuar policinë se personi i lënduar ka qenë i përfshirë në aksident.

Me të marrë lajmin, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku 22-vjeçari Arianit Gashi është gjetur i vdekur në veturë.

Policia ka bërë të ditur se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa personi i lënduar pas trajtimit në Emergjencën e Pejës, është liruar për në shtëpi.

Institucionet e sigurisë nuk kanë dhënë akoma një informacion zyrtar në lidhje me kohën kur ka ndodhur aksidenti, mirëpo në media po raportohet se rasti tragjik ka ndodhur qysh mbrëmë dhe viktima ka mbetur i ngujuar në veturë me dhjetëra orë.