16-vjeçarit në Ferizaj i kapet revolja

Policia në Ferizaj mbrëmë ka gjetur një revole tek një 16 vjeçar.

“Më datë 25.02.2025, rreth orës 19:35, policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj është vërejtur një person i dyshuar që posedon një armë zjarri”.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësiti patrullues ka arritur në vendngjarje, ku ka identifikuar dhe legjitimuar të dyshuarin R.I, 16 vjeç. Gjatë kontrollit, tek i dyshuari është gjetur një armë zjarri (revole), e cila ka rezultuar jofunksionale”, bën të ditur policia.

Sipas forcave të rendit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejshme, ndërsa arma e mbajtur pa leje është sekuestruar.

“Pas përfundimit të intervistës, rasti është referuar tek prokurori i shtetit, i cili ka iniciuar procedurën ligjore me dyshimin për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.