Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, ka deklaruar se po hetohen dy rastet e evidentuara të zyrtarëve policorë që dyshohet se kanë shkelur detyrën gjatë arrestimit të dy personave në veri.
Ai ka thënë se njëri prej rasteve është ai i politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq, që u arrestua të dielën mbrëma pasi fishkëlleu me bilbil derisa prezent ishte kryeministri Albin Kurti.
“Ne do t’i zhvillojmë hetimet dhe të shohim nëse gjatë veprimeve ka pasur tejkalim të detyrës. S’kemi afate të shpejta, por informacionet fillestare do t’i hetojmë shpejt…Njëri prej rasteve lidhet me arrestimin e Arsenijeviqin. Ai disa herë është arrestuar për shkak të fishkëllimave që ua bën zyrtarëve të Qeverisë. Në secilin rast që ka qenë i përfshirë Arsenijeviq e kemi hetuar e kemi ardhur në konkludime”, ka deklaruar Hodaj të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.
Hodaj ka theksuar se në shumicën e rasteve ku është përfshirë Arsenijeviq, Policia ka qenë në kryerje të detyrave dhe korrekte.
Ndërsa, për rastin e dytë në veri ku thuhet se një personi ka pësuar lëndime gjatë arrestimit, Hodaj u shpreh se gjithashtu do të shihen të gjitha informacionet e grumbulluara.
Sipas Hodajt, në veri situata është më ndryshe, por s’ka shtim të rasteve të ankesave nga zyrtarët ndaj zyrtarëve policorë.
“Ka pasur raste kur kemi rekomanduar suspendim e një pjesë kanë përfunduar pa konkluzione se ka pasur shkelje nga zyrtarët policorë. Të gjitha rastet në veri e ankesat e edhe ato që s’janë paraqitur i kemi trajtuar vetëm nëse kemi pasur informacione”, ka shtuar ai.
Duke folur për ankesat e qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë, Hodaj ka deklaruar se më së tepërmi ka raste të tejkalimit të forcës gjatë reagimit policor.
Ai përmendi edhe korrupsionin mes zyrtarëve policorë, keqpërdorimin e detyrës dhe përfshirjen në aksidente me lëndime apo fatalitet.
Për kolonelin policor që dyshohet se ka marrë pjesë në një tubim partiak, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, ka thënë se po hetohet dhe ndaj tij është rekomanduar vazhdimi i suspendimit deri në përfundimin e rastit.
“…Kjo është e papranueshme që zyrtarët policorë të marrin pjesë në subjekte politike dhe s’duhet të krijohet përshtypja se struktura të caktuara të Policisë të jenë pjesë e subjekteve politike”, u shpreh ai.