Rrahje në lokalin e “Heb’s” në Prishtinë, menaxheri kapet me kamerierin që është pjesë e FSK-së

Në orët e para të mëngjesit në pikën e lokalit të gastronomisë “Heb’s” në rrugën ‘Xhorxh Bush’, ku menaxheri i lokalit I.H., dhe njëri prej kamerierëve dyshohet se janë përfshirë në një konfrontim fizik.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti verbal mes palëve lidhur me punën, teksa më pas situata ka eskaluar edhe në përleshje fizike.

Si pasojë e kësaj, kamerieri K.L., i cili është edhe pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Sinjali ndërkohë ka kontaktuar me menaxhmentin e “Heb’s” të cilët kanë mohuar të ketë ndodhur një konflikt fizik mes punëtorëve.

Menaxheri i lokalit për rajonin e Prishtinës, i tha Sinjalit se ka pasur vetëm konflikt verbal mes palëve dhe jo rrahje.

“U kanë një konfrontim i vogël me fjalë, jo diçka. Konfrontim me fjalë, sharje, gjëra të tilla, rrahje diçka naj shtyrje të vogël, s’është rrahje ajo, se e kena pasë sigurimin në lokal, sigurimi i ka nda”, tha ai.

Për pjesën që kamerieri ka pësuar edhe lëndime trupore, menaxheri i “Heb’s”-it tha shkurtimisht se “nuk kom informacione”

Ai ka refuzuar të tregojë nëse është intervistuar edhe dikush tjetër nga stafi i lokalit.

“Nuk është me rëndësi ajo, nuk është pjesë që iu intereson juve. Nuk është diçka me qitë lajme çka ka ndodh nëpër lokale…”, tha menaxheri i “Heb’s” i cili më pas mbylli telefonin.

Në anën tjetër, mësohet se në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar edhe dy persona tjerë të cilët ishin të pranishëm në momentin e incidentit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që dy të dyshuarit të hetohen në liri teksa është iniciuar rast për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Sulm’.