Pesë të lënduar nga sulmi i ariut, qyteti shpall gjendje të jashtëzakonshme

Autoritetet e qytetit Liptovsky Mikulas në Sllovaki kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme pasi një ari ka kryer disa sulme ndaj qytetarëve.

Dailymail ka shkruar se pos një viktime, një 49-vjeçare, një 72-vjeçar e një vajzë 10-vjeçare ishin në mesin e personave që pësuan lëndime trupore nga ariu i murrmë që u pa teksa qarkullonte në qendër të qytetit.

Zëdhënësja e qytetit, Viktoria Capcikova, ka thënë se ariu lëvizi 20 minuta në qendër dhe i sulmoi pesë persona.

“Ariu kaloi rreth 20 minuta në qendër të qytetit, sulmoi pesë persona dhe u tërhoq në pyll. Autoritetet kanë në dispozicion një dron me vizion termik, vizion nate, kamera kurthi dhe armë”, ka thënë ajo.

Bashkia e qytetit ka theksuar se ekipet e urgjencës kanë dalë në vendin ku ndodhën sulmet, gjersa gjuetarët kanë patrulluar pranë malit ku iku ariu.

Liptovsky Mikulas është qytet pranë malit me rreth 31 mijë banorë.

“Ne jemi qytet mes maleve, por qytet. S’mund të lejojmë që një ari t’i sulmojë pesë persona në qendër në mes të ditës”, thuhet në raportin e bashkisë.