Dje u ndërmor një nga aksionet më të mëdha kundër drogës në Kosovë, që përfundoi me 22 të arrestuar. Në mesin e tyre ishte edhe bosi i drogës, Shemsi Bahtiri, që konsiderohet të jetë njeri i afërt i VV’së. Ndonëse janë publikuar fotografi ku Bahtiri shihet në aktivitete të VV’së, nga kjo parti kanë thënë se ai nuk ka ndonjë funksion aty.
Dje Prokuroria Speciale e Policia e Kosovës zhvilloi operacionin antidrogë të koduar “Qielli i thyer” gjatë të cilit u arrestuan 22 persona. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Krim i organizuar” në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave. Ata dyshohet se veprat penale i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.
Mediat raportuan se njëri nga të arrestuarit është Shemsi Bahtiri, që konsiderohet të ketë qenë bosi kryesor i grupit. Sipas Paparacit, Bahtiri është eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje, njeri i afërt me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin e ministrin në detyrë Xhelal Sveçla.
Prej vitesh Bahtiri ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ishte në degën e VV’së në Prishtinë. Bosi i heroinës kishte marrë pjesë në shumë aktivitet të kësaj partie, në mesin e tyre edhe në aksionin e atëhershme të VV’së kundër kryeprokurorit Lumezi.
Ndonëse merrte pjesë në aktivitete të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti ka mohuar se Bahtiri ka ndonjë funksion të veçantë në këtë subjekt politik. LVV nuk ka sqaruar nëse Bahtiri potencialisht mund të jetë financues.
“Jo, i apostrofuari nuk ka ndonjë funksion brenda Lëvizjes Vetëvendosje”- ka thënë shkurt për kallxo.com, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.
Në lidhje me rastin VV ka lëshuar një njoftim pak më parë, duke thënë se e mbështesin aksionin djeshëm. VV ka bërë të ditur se e kanë marrë vendim për largimin e Bahtirit.
“Në anën tjetër, nga mediat kuptuam se njëri prej 22 arrestuarve është aluduar si i afërt me subjektin tonë. Ndonëse nga Prokuroria apo Policia nuk kemi parë asnjë informatë zyrtare me të dhënat personale të të arrestuarve. Megjithatë pas këtij informacioni ne menjëherë kemi verifikuar emrin për të parë nëse i njëjti ekziston në databazën tonë. Në këtë mënyrë, për korrektësi, në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni ynë disiplinor ka marrë vendim për largimin e personit me emrin e njëjtë. Ky vendim qendron në fuqi deri në sqarimin e verifikimin e plotë nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë me atë të organeve të drejtësisë. Edhe njëherë, Lëvizja VETËVENDOSJE! fton të gjithë anëtarët sikurse edhe qytetarët që të denoncojnë pa asnjë hezitim dhe pa kompromis çfarëdo informacioni e personi për çdo veprimtari ilegale, në dëm të rendit publik, shëndetit e sigurisë.”
Për këtë ka reaguar nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, e cila tha se “Lëvizja që dikur imponohej si puritane, që shiste moral politik dhe integritet, sot del që njerëzit e afërt me ta janë të përlyer në afera që nga trafikimi i drogës e deri te shitja e energjisë.
Ajo ka theksuar se kjo situatë nuk përbën vetëm hipokrizi politike, por një rrezik serioz për shoqërinë kosovare.
“Kjo nuk është thjesht hipokrizi. Kjo është rrezik për shoqërinë. Marri e papërshkrueshme,” ka thënë ajo.
Çka njoftuan PRSK e Policia?
Në komunikatë thuhet se janë zhvilluar 47 bastisje dhe janë përfshirë 600 zyrtarë të policisë.
“Aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit. Në aksion kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në bastisjen e 47 lokacioneve, dhe arrestimin e personave të dyshuar.”
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 129 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.
Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.
“Operacioni i koduar “Qielli i Thyer”, është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës, Europol-it, dhe është udhëhequr nga Prokurori i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë realizimi të urdhër kontrollit. Ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që janë marrë me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe formave të tjera të krimit të organizuar. Prokurorët e Prokurorisë Speciale, në koordinim të plotë me hetuesit policorë kanë qenë të përkushtuar në vazhdimësi për shkatërrimin e këtij grupi të organizuar kriminal. PSRK, dhe Policia e Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës, se asnjë aktivitet kriminal nuk do të tolerohet në komunitetin tonë, duke theksuar angazhimin në luftimin dhe parandalimin e këtyre veprave penale, dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që e shkelin ligjin.”